Dinari dhe mbyllja e komunave paralele serbe në Kosovë ka shkaktuar reagim goxha të ashpër të ndërkombëtarëve ndaj Qeverisë Kurti. Këto veprime të qeverisë janë parë si shqetësuese nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian. Kosovës i është kërkuar që këto çështje të trajtohen në dialog dhe të mos marrë “hapa të njëanshëm”.
Në deklaratën e fundit, Bashkimi Evropian ka sqaruar se reagimet gjatë fundjavës ndaj zhvillimeve në Kosovë kanë pasur për qëllim që t’i shmangin tensionet pas disa veprimeve të autoriteteve të Kosovës që BE-ja i ka quajtur “të njëanshme dhe shqetësuese”.
Peter Stano, zëdhënës i BE-së për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, tha se këto veprime nuk kontribuojnë që të shtensionohet situata.
“Përgjatë javës së shkuar kemi parë së paku dy shembuj të veprimeve që kanë nxitur shqetësimin e Bashkimit Evropian. Njëri ishte rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës dhe tjetra operacionet policore ndaj disa entiteteve të udhëhequra nga Serbia. Këta hapa janë shqetësues për shkak se ata nuk kontribuojnë në shtensionimin e situatës“, ka thënë Stano.
Stano tha se Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj këtyre zhvillimeve sepse “ato veprime, zakonisht, nuk janë të koordinuara, janë të njëanshme dhe pa nivelin e duhur të konsultimeve paraprake për të shmangur ndikimin negativ që mund të kenë ndaj njerëzve në terren.”
Sipas tij, këto deklarata ishin përforcuar edhe nga partnerët tjerë ndërkombëtarë si dhe nga ana e Komisionit Evropian.
“Natyrisht, se është shqetësuese kur shohim se një varg i hapave të njëanshëm mund të çojë deri te diçka që ne nuk do të donim të shihnim – përkeqësimi i situatës në terren. Sepse, një gjë është e qartë, ato veprime nuk japin kontribut për të qetësuar situatën dhe për të ndihmuar që njerëzit të ndihen se jeta e tyre po bëhet më e mirë. Krejt e kundërta. Prandaj është e rëndësishme të kthehen në dialog“, ka thënë ai.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, e ka përsëritur të hënën kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për shtyrje të vendimit për zbatim të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Ai i ka bërë këto deklarata, pas një takimi që ka zhvilluar të hënën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe diplomatë tjerë të huaj.