2 pilotë ushtarakë britanikë të lënduar pasi avioni stërvitor rrëzohet në Uells

2 pilotë ushtarakë britanikë të lënduar pasi avioni stërvitor rrëzohet në Uells
Videoja e shpërndarë në rrjetet sociale tregon dy pilotët duke u katapultuar nga avioni pak para se ai të përplasej me tokën

Dy pilotë të Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) të Mbretërisë së Bashkuar kanë pësuar lëndime që besohet të jenë të lehta, pasi u katapultuan nga një avion stërvitor që u rrëzua në veri të Uellsit, transmeton Anadolu.

Avioni Hawk T2 po fluturonte nga baza RAF Valley, në ishullin Anglesey, kur u rrëzua pranë Pencarnisiog.

“Dy pilotë po marrin trajtim për lëndime që besohet të jenë të lehta dhe në këtë fazë nuk ka raportime për dëme apo lëndime të tjera”, tha Policia e Uellsi të Veriut.

Videoja e shpërndarë në rrjetet sociale tregon dy pilotët duke u katapultuar nga avioni pak para se ai të përplasej me tokën.

Pamjet tregojnë një re tymi dhe flakë që ngrihen nga vendi i rrëzimit, ndërsa avioni duket se ka shmangur ngushtë disa banesa.

Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Uellsit të Veriut tha se zjarri ishte vënë nën kontroll, ndërsa në vendngjarje mbërritën gjithashtu ekipe të ambulancës dhe ambulancës ajrore.

Hawk T2 është një avion stërvitor që përdoret nga RAF, ndërsa RAF Valley është një bazë ushtarake ajrore në Anglesey, e përdorur për trajnimin e pilotëve.

Rrethanat që çuan në rrëzimin e avionit nuk janë bërë të ditura.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova