Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se grupi i organizuar nga sulmuesit serbë të cilëve u printe Milan Radoiçiq, ishte i dirigjuar dhe financuar nga Beogradi.
Krerë të institucioneve në Kosovë kanë përkujtuar sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë ku humbi jetën zyrtari policor i Kosovës, tash hero i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës për sundim të ligjit, në mbrotje të sovranitetit shtetëror dhe tërësisë territoriale të Kosovës, në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Kurti tha se grupi i organizuar nga sulmuesit serbë të cilëve u printe Milan Radoiçiq, ishte i dirigjuar dhe financuar nga Beogradi. Ai tha se ky grup dështoi në sulmin tinzar që kishte për qëllim konflikt të armatosur e gjakderdhje në manastirin ortodoks të shekullit XIV, dhe më pas aneksimin e veriut të Kosovës, falë vendosmërisë dhe profesionalizmit të zyrtarëve kosovarë të rendit dhe inteligjencës.
“Në Banjskë, në vendin e sulmit aty, rruga sot mban emrin e heroit Afrim Bunjaku. Ndërkaq, tre kriminelë janë vrarë gjatë aksionit atë ditë, tre janë në burg që prej asaj dite, e të gjithë të tjerët do të përgjigjen para drejtësisë në vendin tonë herdokur. Shteti ynë asnjëherë nuk do të heq dorë në kërkim të tyre derisa të gjithë të kenë marrë gjykimin e drejtësisë dhe dënimin e merituar”, theksoi Kurti.
Ai tha se ky grup i ka shkaktuar dëm dhe vuajtje Kosovës, “por, ne kemi fituar”.
“Shteti ynë i pavarur, Republika e Kosovës, ka ngadhnjyer mbi agresionin dhe krimin, heroi mbi terroristët. Lavdi jetës dhe veprës së rreshterit, heroit Afrim Bunjakut”, shtoi Kurti.
Polici i rënë në detyrë më 24 shtator 2023 u kujtua edhe nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Ai tha se me sakrificën e tij sublime dhe profesionalizmin e jashtëzakonshëm të Policisë së Kosovës, Republika e Kosovës mbrojti territorin, qytetarët dhe rendin kushtetues, duke triumfuar përballë sulmit të Serbisë.
“Drejtësia për vrasjen e Heroit Afrim Bunjaku mbetet e paplotë deri në arrestimin dhe përballjen me drejtësinë të të gjithë terroristëve, në krye të të cilëve qëndron Milan Radoiçiq”, theksoi Sveçla.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Komunës së Zveçanit.
Të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”.
Tre nga 45 të akuzuarit në rastin Banjska kanë mohuar akuzat para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

