Muja: Veprimet e Serbisë i nxisin grupet e dhunshme

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se derisa zbatimi i kushtetutshmërisë nëpërmjet mbylljes së strukturave paralele serbe po konsiderohet masë e njëanshme, Serbia s’ka asnjë masë për sulmin në Banjskë.

Ai ka shkruar në Facebook se veprimi i Serbisë shkakton çekuilibrim të procesit të dialogut dhe i nxit “grupet e dhunshme të veprojnë dhunshëm”, duke potencuar se disa deklarime të partnerëve “mund të përdoren për fertilizim të tokës për tensione”.

“Si mundet që mbyllja e komunave/strukturave paralele të Serbisë në Kosovë dhe zbatimi i kushtetushtmërisë të Kosovës të konsiderohet masë e njëanshme e Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe aleatë tjerë…Askush nuk po i hedh benzinë zjarrit. Por disa deklarata të partnerëve tanë mund të përdoren për fertilizim të tokës për tensione nga Serbia përmes grupeve kriminale. Dhe në të njëjtën kohë dekurajojnë integrimin e mëtejmë të qytetarëve serb në Kosovë”, ka shkruar deputeti i partisë në pushtet.

Reagimi i tij vjen pasi Bashkimi Evropian e ka quajtur veprim të njëanshëm të Kosovës mbylljen e disa zyrave paralele serbe që operonin në disa komuna të Kosovës.

Ndërsa, këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka thënë se BE-ja s’duhet të ngatërrojë qëllimin e dialogut.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi