Kapiteni i kombëtares kroate dhe mesfushori i Milanit, Luka Modrić, ishte i ftuar në emisionin (Ne)Uspjeh prvaka te ish-selektori i Vatrenëve, Slaven Bilić.
Dy futbollistët kanë kaluar shumë gjëra së bashku dhe pikërisht Bilić e lançoi Modrićin në përfaqësuese, duke e futur në ekipin A në Euro 2008 dhe duke i “dorëzuar çelësat e skuadrës”.
Në emision, Modrić foli edhe për kalimin e tij te Zrinjski i Mostarit dhe theksoi se këtë hap e kishte parë si një mundësi për të përparuar.
“Shumë e thjeshtë. Siç thatë, shumë lojtarë humbin rrugën në atë tranzicionin nga juniorët te seniorët. Kjo është sepse në ato vite nuk luajnë, mbeten në zonën e rehatisë, nuk janë gati të zbresin një shkallë më poshtë që të ngjiten më lart. Kur më doli mundësia, menjëherë desha të shkoja atje. Ishte më mirë për mua sepse konkurrroja në futbollin e të rriturve. Atëherë po formohej ekipi i dytë, luaje me shokët, ndiheshe komod, por ishte pyetje sa do të përparoje. Ata telefonuan në klub dhe pyetën nëse do të shkoja. Para meje kishin shkuar Landeka, Đidić… Të tjerat janë histori. Për mua ishte fenomenale. Tani nga kjo perspektivë duket si hap i rrezikshëm, por unë e pashë si mundësi për t’u dëshmuar”, tha Modrić, duke theksuar se ndihmë i kishte dhënë edhe ardhja e Stjepan Deverić në stolin e Zrinjskit pas pesë xhirove.
“Ai erdhi pas pesë xhirove, edhe pse edhe me trajnerin e mëparshëm më ishte bukur të punoja. Më kujtohet dita e parë, pas stërvitjes, të nesërmen ishte ndeshja dhe del lista e lojtarëve në dispozicion. Të gjithë lexojnë emrat, por unë nuk jam në listë, dhe askush nuk më thotë asgjë. Në rregull, mbarova stërvitjen, shkova nën dush dhe qava. Mendoja: ‘Çfarë është kjo, kam ardhur këtu të luaj’. Nën dush qaja dhe i lutesha Zotit të mos më shihnin. U ktheva në shtëpi, por më telefonojnë dhe më thonë se nuk jam në listë sepse nuk kanë ardhur dokumentet. Atëherë erdhi lehtësimi. Kishim një sezon të mirë, luftonim për mbijetesë, por në fund e përfunduam në mesin e tabelës. Liga ishte mjaft e ashpër, kundërshtarët agresivë, por për mua si lojtar i ri kjo ishte ndihmë e madhe për t’u mësuar me futbollin e seniorëve”, shtoi ai.
Për kujtesë, Modrić ishte në Zrinjski si lojtar i huazuar nga Dinamo, ndërsa më pas ka luajtur edhe për Inter Zaprešić, Tottenham, Real Madrid dhe tani për Milanin.
Për kombëtaren e Kroacisë ka zhvilluar 194 ndeshje dhe ka shënuar 28 gola, ndërsa me Vatrenët ka fituar medaljen e argjendtë në Kupën e Botës 2018 dhe bronzin në Katar katër vjet më vonë.










