Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) kanë nënshkruar sot një Memorandum Bashkëpunimi për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, raporton Ekonomia Online.
Zëvendësministrja në detyrë, Daulina Osmani, tha se marrëveshja parasheh themelimin e një strukture të përkohshme organizative deri në hyrjen në fuqi të ligjit për Lojërat Mesdhetare, duke theksuar se memorandumi përfshin financim prej 2.6 milionë euro.
“Për të shënuar një hap tjetër të rëndësishëm drejt organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030. Ne si ministri i japim mbështetje të plotë duke theksuar rëndësinë që kanë lojërat dhe sporti për bashkëpunim rajonal. Kemi trajtuar sfidën e krijuar dërgimin e ligjit për lojërat mesdhetare në Gjykatën Kushtetuese, fatkeqësisht kjo vazhdon në shqyrtim, kjo ndikon në ngadalësimin e organizimit, por falë bashkëpunimit kemi arritur të gjejmë rrugë alternative duke respektuar komplet kornizën ligjore. Përputhje me kornizën ligjore dhe me librin e kandidaturës jemi dakorduar me KOK të themelohet një strukturë tranzitore apo e përkohshme e Lojërave Mesdhetare, kjo strukturë do të jetë funksionale deri në hyrjen e fuqi të ligjit për Lojërat Mesdhetare. Ky është angazhim strategjik dhe avancimin e qytetarëve. Po nënshkruajmë memorandumin për financimin për Lojërat Mesdhetare me 2.6 milionë euro”, tha ajo.
Kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, u shpreh se ky është një hap i rëndësishëm drejt përgatitjeve, ndërsa javën e ardhshme pritet të mbahet takimi i parë i bordit për diskutimin e organizimeve të ardhshme.
“Kemi bërë zgjedhje për financimin e Lojërave Olimpike Mesdhetare. Ky financim kupton edhe formimin e Lojërave Mesdhetare, së bashku me partnerët, së shpejti në javën e ardhshme do të ketë edhe takimin e parë të bordit ku do të bisedojë rreth organizimeve të ardhshme që të jemi sa më shpejtë dhe konkret për Lojërat Olimpike Mesdhetare”, ka thënë ai.