Shefi i ekipit mjekësor të Papës Françesku ka deklaruar se ai ishte aq pranë vdekjes në një fazë të trajtimit, sa që mjekët seriozisht menduan ta ndërprisnin trajtimin, që ai të mund të ndërronte jetë në qetësi.
Mjeku i spitalit të Romës, Sergio Alfieri, tha se Papa, pas një krize frymëmarrjeje më 28 shkurt, pati komplikime të tjera dhe pothuajse u mbyt nga të vjellat.
“Ekzistonte një rrezik i vërtetë që ai të mos mund ta përballonte gjithçka”, u shpreh doktori.
Ai theksoi se në atë moment mjekët duhej të merrnin një vendim për hapat e mëtejshëm në trajtim.
“Duhej të zgjidhnim: a do të ndaleshim aty dhe ta lironim, apo do të vazhdonim me të gjitha barnat dhe terapitë e mundshme, duke rrezikuar dëmtimin e organeve të tjera? Në fund, vendosëm të ecim përpara”, tha mjeku.
Papa Françesku (88) u lirua nga spitali të dielën, pas krizës më serioze shëndetësore gjatë 12 viteve të papatit të tij.
Ai u shtrua më 14 shkurt në spitalin Gemelli për shkak të një sulmi bronkiti që u zhvillua në pneumoni të dyfishtë – një gjendje veçanërisht e rëndë për të, pasi në rini kishte pasur pleurit dhe i ishte hequr një pjesë e mushkërisë.
Papës Françesku i janë rekomanduar edhe dy muaj pushim pas daljes nga spitali për t’u shëruar plotësisht.