Mbi 700 punonjës të mediumit publik, RTK tash e 21 ditë kanë mbetur pa marrjen e pagave për muajin korrik.
E gjithë kjo situatë është krijuar për shkak të mungesës së konstituimit të Kuvendit të Kosovës, i cili do të duhej të miratonte ndarjen e buxhetit edhe për gjashtë muajt e ardhshëm për Radio Televizionin e Kosovës.
Megjithatë për shkak të situatës, RTK para një jave i kishte dërguar kërkesë Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për huamarrje deri në 2.5 milionë euro.
E kjo kërkesë e RTK-së u miratua në parim gjatë një mbledhje elektronike të mbajtur nga qeveria në detyrë më 15 gusht.

Por pavarësisht miratimit të kësaj kërkese për huamarrje, pagat për punonjësit e RTK-së nuk janë ekzekutuar ende.
Telegrafi ka dërguar pyetje gjatë ditës së djeshme në Ministrinë e Financave për të parë se pse nuk ka ndodhur ekzekutimi i pagave, por të njëjtit deri në publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.
Pas miratimit të kërkesës për huamarrje, Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës kishte anuluar protestën e paralajmëruar për datë 18 gusht.
“Sindikata mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve buxhetore që do t’i mundësojnë RTK-së të dalë nga kriza aktuale financiare. Në këtë drejtim, njoftojmë se protesta e paraparë për datën 18 gusht anulohet. Falënderojmë secilin punëtor të RTK-së për përkrahjen dhe të gjitha mediat në Kosovë që u solidarizuan me ne”, thuhej në njoftim.
Megjithatë punëtorët e mediumit publik kanë paralajmëruar grevë e mosraportim të ngjarjeve nëse situata nuk zgjidhet shpejt.
Madje ata ditë më parë i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare Qeverisë në detyrë për transferimin e mjeteve.
Në kërkesën e tyre drejtuar institucioneve përgjegjëse, ata kujtojnë se të premten e kaluar është marrë vendimi në parim për buxhetin e RTK-së, por procesi i transferimit të pagave ende nuk është finalizuar.
“Jemi të detyruar t’ju drejtohemi me këtë kërkesë lidhur me procesin e transferimit të pagave për punëtorët e RTK-së. Kërkojmë të informohemi qartë deri ku ka shkuar procesi dhe sa kohë do të zgjasë kjo procedurë”, thuhet në reagim.
Punëtorët theksojnë se vonesa ka dëmtuar rëndë jetën e tyre dhe funksionimin e institucionit, duke e quajtur këtë situatë të papranueshme.
Shqetësim për krizën financiare në mediumin publik ka shprehur edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), zyrtarë të BE-së në Kosovë dhe përfaqësues politik.