Kosova e ka akuzuar Serbinë se tentoi ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës”, gjë të cilën Serbia e ka mohuar, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.
Kosova dhe Serbia kanë nisur hetime paralele për ngjarjet në Banjskë, ndërkohë që Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Beogradit të bashkëpunojë plotësisht për këtë çështje.
Kurti theksoi se “grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.”
Ai i përmendi edhe një sërë nofkash të personave që dyshohet se janë të lidhur me “veprimtari kriminale” në veri të Kosovës dhe se janë tifozë të Cërvena Zvezdës
Disa nga pseudonimet janë “Mami”, “Llune” dhe “Nemac”, përkatësisht Millun Millenkoviq, Nenad Orlloviq dhe Vlladimir Radivojeviq.
Millun Millenkoviq – Llune ndodhet në paraburgim që nga 13 qershori dhe është zgjedhur si lider i Mbrojtjes Civile, të cilën Kosova e ka shpallur organizatë terroriste.
Orlloviq u arrestua më 23 qershor për një sulm ndaj anëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) në komunën e Zveçanit në fund të majit, kur serbët vendas kundërshtuan ardhjen e kryetarëve shqiptarë në pushtet.
Millenkoviq dhe Orlloviq akuzohen për tri vepra kriminale: terrorizëm, ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Kosovës dhe rrezikim të një personi nën mbrojtje ndërkombëtare.
Ndërkohë, më 29 shtator, Policia e Kosovës e bastisi shtëpinë e Vlladimir Radivojeviqit në Zveçan, i cili njihet me nofkën “Mami”.
Gjithashtu, bëhet e ditur se ai është një nga drejtuesit e tifozëve të klubit të futbollit Cërvena Zvezda. Atë ditë, autoritetet e Kosovës konfiskuan pronën e Millan Radoiçiqit në veri të Kosovës, si pjesë e një operacioni-kërkimi në lidhje me sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë.
Vendet perëndimore e dënuan ashpër sulmin në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës dhe kërkuan hetim. Ndërkohë, i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha se ngjarjet në Banjskë e kanë ndryshuar situatën, por se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve “nuk ka alternativë”.
Lajçak, pas takimit të pesëshes së madhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha se ngjarjet e 24 shtatorit “treguan qartë se shtensionimi dhe normalizimi [i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë] tani janë më urgjente se kurrë më parë”./rel/