Ministria Amerikane e Shëndetësisë shkurton 10.000 vende pune dhe mbyll gjysmën e zyrave rajonale

Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) njoftoi të enjten se do të shkurtojë rreth 10.000 vende pune me kohë të plotë dhe do të mbyllë gjysmën e zyrave të tij rajonale, si pjesë e një ristrukturimi të madh nën drejtimin e ministrit të ri të shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr.

Sipas HHS-it, këto shkurtime, së bashku me rreth 10.000 dorëheqje vullnetare të fundit, do ta ulin numrin e punonjësve të përhershëm në departament nga 82.000 në 62.000.

“Ne nuk po ndalim vetëm përhapjen e burokracisë – po e përputhim strukturën e agjencisë me misionin e saj bazë dhe prioritetet tona të reja për të përmbysur epideminë e sëmundjeve kronike,” deklaroi Kennedy Jr.

Presidenti amerikan Donald Trump dhe aleati i tij miliarder, Elon Musk – i cili mbikëqyr Departamentin për Efiçiencën e Qeverisë – kanë eliminuar disa agjenci federale në përpjekje për të ulur burokracinë qeveritare.

Në kuadër të kësaj ristrukturimi, 28 njësi të HHS-it do të konsolidohen në 15 departamente të reja, përfshirë një agjenci të re të quajtur “Administrata për Amerikën e Shëndetshme” (AHA).

AHA do të përfshijë zyrat e HHS-it që merren me çështje si varësia, substancat toksike dhe siguria në vendin e punës, duke i bashkuar ato në një zyrë të vetme qendrore.

Njësitë e reja do të centralizojnë gjithashtu funksione të rëndësishme si marrëdhëniet me jashtë, burimet njerëzore dhe teknologjinë e informacionit.

Kategoritë
BotaLajme