Ministri amerikan i financave hap derën për rikthimin e Rusisë në sistemin kryesor bankar ndërkombëtar

Ministri amerikan i financave, Scott Bessent, nuk e përjashtoi mundësinë që bankave ruse t’u lejohet rikthimi në sistemin ndërkombëtar të shkëmbimit të mesazheve financiare SWIFT, ndërsa vazhdojnë negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Megjithatë, për një vendim të tillë, Shtëpisë së Bardhë do t’i nevojitej mbështetja e Evropës.

“Do të kishte një diskutim të gjatë për shumë çështje lidhur me mënyrën e duhur të rikthimit të Rusisë në sistemin ndërkombëtar, por mendoj se është shumë herët të flasim për kushtet e një marrëveshjeje para se të arrihet marrëveshja,” tha Bessent.

Administrata e Biden-it ndihmoi në përjashtimin e disa prej bankave më të mëdha ruse nga sistemi SWIFT – rrjeti ndërkombëtar që u mundëson institucioneve financiare të botës të shkëmbejnë mesazhe për transaksione – menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në fillim të vitit 2022.

Rusia ka kërkuar që një nga bankat e saj më të mëdha, Rosselkhozbank, të rikthehet në sistemin SWIFT në këmbim të zbatimit të një armëpushimi në Detin e Zi.

“Mendoj se gjithçka është në tryezë,” deklaroi Bessent.

Bashkimi Evropian – i cili deri më tani është mbajtur kryesisht jashtë bisedimeve të paqes dhe që ka banka qendrore ndër më të rëndësishmet që mbikëqyrin sistemin SWIFT – do të duhej ta miratonte një propozim të tillë.

Anitta Hipper, zëdhënëse e Komisionit Evropian për punë të jashtme, tha për Politico se përfundimi i agresionit të pashkaktuar dhe të pajustifikuar të Rusisë në Ukrainë, si dhe tërheqja pa kushte e të gjitha forcave ruse nga i gjithë territori ukrainas, do të ishin ndër parakushtet kryesore për ndryshimin ose heqjen e sanksioneve.

 

Kategoritë
BotaLajme