Biznesmeni kanadezo-izraelit Sylvan Adams ka njoftuar se do të dhurojë 100 milionë dollarë për rindërtimin e Qendrës Mjekësore Universitare Soroka në Izrael, e cila pësoi dëme të mëdha pas një sulmi me raketë iraniane në qershor.
Adams e bëri publike donacionin gjatë një mbledhjeje të qeverisë izraelite, duke theksuar se projekti përfaqëson një përgjigje simbolike ndaj agresionit iranian.
“Përgjigjja jonë ndaj Iranit është të ndërtojmë më shumë dhe më mirë. Pikërisht aty ku ranë raketat, do të ndërtojmë në Beer Sheva – kryeqytetin e Negevit – një spital modern, ndër më të avancuarit në Lindjen e Mesme,” deklaroi ai.
Spitali Soroka, që shërben rajonin jugor të Negevit, u godit më 19 qershor, në kulmin e luftës 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit.
Donacioni është pjesë e një inisiative më të gjerë prej 1 miliardë shekelësh (rreth 300 milionë dollarë), që synon modernizimin e sistemit shëndetësor në jug të Izraelit, përfshirë ndërtimin e një kulle të re të fortifikuar spitalore.
Kostoja totale e projektit do të ndahet në mënyrë të barabartë midis donacionit të Adamsit, qeverisë izraelite dhe shërbimit shëndetësor Clalit.













