Metoda Trump: Nga qortimi në Zyrën Ovale deri te marrëveshja për armëpushim – a do ta ndalë SHBA-ja luftën në Ukrainë, të paktën përkohësisht?

Në pak javë, Donald Trump po përpiqet ta ndalë luftën në Ukrainë, të paktën përkohësisht, në fillim. Presidenti amerikan, i cili e quajti diktator dhe e qortoi ashpër presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, është gati ta mirëpres atë sërish në Washington, pasi gjërat kanë ndryshuar shumë në pak kohë. Trump duket optimist se mund ta ndalë luftën, ndërsa delegacioni i tij arriti një marrëveshje të rëndësishme të martën në bisedimet me delegacionin ukrainas të Zelenskyt

Doland Trump e ka nisur mandatin e dytë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me përpjekjen për ta ndalur luftën në Ukrainë, e cila, siç ka thënë ai disa herë, nuk do të kishte nisur fare po të kishte qenë ai atëherë në krye të vendit.

Shumë tensione, shumë lajme dhe gjëra që s’janë parë më herët, kanë ardhur për pak javë nga Shtëpia e Bardhë pasi Trump u rifut aty.

Ukraina e pranoi të martën një propozim për armëpushim 30-ditor me Rusinë, të propozuar nga SHBA, ndërsa një delegacion ukrainas dhe një delegacion amerikan zhvilluan bisedime për paqe në Arabinë Saudite.

Propozimi i armëpushimit i pranuar nga Ukraina mbulon të gjithë vijën e frontit të luftimeve me Rusinë, jo vetëm hapësirën ajrore dhe detare, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky pas takimit që zgjati më shumë se tetë orë.

“Ukraina e pranon këtë propozim, e konsiderojmë pozitiv, jemi të gatshëm ta ndërmarrim një hap të tillë, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta bindin Rusinë që ta pranojë”, tha ai, duke shtuar se armëpushimi do të fillonte në momentin që Moska do të pajtohej.

Washingtoni tha në një deklaratë pas takimit në Jeddah se do ta heqin menjëherë pezullimin mbi ndarjen e inteligjencës me Ukrainën dhe do ta rikthejnë ndihmën e sigurisë për Ukrainën.

Një zyrtar ukrainas ia konfirmoi më pas CNN-it se bllokada ishte hequr.

Këto bisedime pasuan javë intensive dhe plot tensione ndërmjet SHBA-së dhe Ukrainës, me presidentin Donald Trump i cili pasi e quajti “diktator” dhe tha se mund ta humbasë vendin e tij, e priti në Shtëpinë e Bardhë presidentin Volodymyr Zelensky.

Qortimi që iu bë atij nga Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance ishte publik dhe u bë ngjarja më e ndjekur dhe më e komentuar në mbarë botën. Diskutimi që u transmetua publikisht linte pak shpresë për ndonjë marrëveshje, ashtu siç dëshironte Trump, i cili në mungesë të saj i kërkoi Zelenskyt të largohej.

Presidenti amerikan e akuzoi mysafirin se nuk ishte i interesuar për paqe dhe pasi Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë, në distancë gjërat nisën të zbuteshin. Presidenti ukrainas tha më pas se ishte gati të negocionte përfundimin e luftës trevjeçare “sa më shpejt të jetë e mundur” dhe se do të punonte “nën udhëheqjen e fortë” të Trump për ta arritur këtë.

Zelensky tha se mospajtimi i tij publik me Trump në Zyrën Ovale ishte “për të ardhur keq”, ndërsa atij ia dërgoi edhe një letër në të cilën ia shprehte gatishmërinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje që do t’i jepte SHBA-së të drejta të konsiderueshme dhe afatgjata mbi mineralet e rralla të vendit të tij, të cilat për SHBA-në do të ishin shumë të nevojshme për prodhimin e produkteve të teknologjisë.

Pas kësaj, Trump e angazhoi Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio që të niste takimet e bisedimet për të bërë hapa drejt një marrëveshjeje.

Bisedimet e së martës në Arabi, të cilat i udhëhoqi Rubio, patën rezultat. Pas takimit, kryediplomati amerikan tha se tani topi është në anën e Rusisë për të ndërmarrë hapa drejt përfundimit të luftës.

“Shpresojmë që ata të thonë po, të thonë po për paqen. Topi tani është në fushën e tyre”, deklaroi ai.

Presidenti i SHBA, Donald Trump, e mirëpriti lajmin dhe paralajmëroi se do të flasë me presidentin rus Vladimir Putin për planin, ndoshta këtë javë, siç raportoi CNN.

Zelensky beson se vendi i tij tani mund të presë që SHBA të ndërmarrë “masa të forta” kundër Rusisë, nëse Putini e refuzon propozimin për armëpushim.

“Nuk e di detajet, por po flasim për veprime përkatëse sanksionesh dhe forcimin e Ukrainës”, u tha ai sot gazetarëve në një konferencë për shtyp në Kyiv. “Gjithçka varet nga Rusia. SHBA i bëri hapat e saj, Ukraina e bëri të qartë pozicionin e saj. Tani Rusia duhet të përgjigjet”.

Bisedimet dhe dakordimi SHBA-Ukrainë erdhi në një moment që CNN e përshkruan si kritik të luftës. Forcat e Putinit po vazhdojnë të avancojnë në rajonin e Kurskut në Rusi, ku ukainasit kishin ndërmarrë një inkursion në gusht.

Marrëveshja SHBA-Ukrainë thotë se Kyivi pajtohet për një armëpushim 30-ditor i cili mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë mes palëve dhe që varet nga pranimi dhe zbatimi i njëkohshëm nga Rusia.

“Shtetet e Bashkuara do t’i komunikojnë Rusisë se reciprociteti i saj është çelësi për arritjen e paqes”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Këto zhvillime të fundit sikur e kanë çliruar pak Ukrainën, e cila u përball me pezullimin e ndihmave amerikane dhe një bllokadë në ndarjen e inteligjencës nga SHBA-ja pas takimit katastrofil të Trumpit me Zelenskyn në Zyrën Ovale.

SHBA dhe Ukraina janë pajtuar gjithashtu për ta finalizuar një marrëveshje për mineralet e rralla “sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Edhe aleatët europianë të SHBA-së, të cilët i la komplet jashtë këtyre negociatave, e kanë mirëpritur këtë plan armëpushimi, ndërsa Trump iu tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të martën se shpreson që “Presidenti Putin ta pranojë” dhe “të fillojmë me këtë proces”.

“Mendoj se ka një ndryshim shumë të madh mes vizitës së fundit që patë në Zyrën Ovale dhe këtij armëpushimi të plotë”, tha Trump, duke iu referuar përplasjes me Zelenskyn. “Ukraina e ka pranuar, dhe shpresojmë që edhe Rusia ta pranojë – do të takohemi me ta më vonë sot dhe nesër, dhe shpresojmë që ta arrijmë një marrëveshje”, tha presidenti amerikan.

I pyetur se a do ta ftonte sërish Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë, ai u përgjigj me fjalët “sigurisht, absolutisht”.

Trump tha se shpreson që pasi të flasë me Putinin, armëpushimi të hyjë në fuqi “në ditët në vijim”.

Kategoritë
BotaLajme