Leo Messi, futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, duhej të rikthehej në Barcelonë në vitin 2023, raporton gazeta katalanase Sport. Sipas medias, të dyja palët kishin arritur një marrëveshje të plotë dhe madje ishte printuar edhe kontrata e re për argjentinasin, por transferimi nuk u realizua kurrë.
Kujtojmë se Messi u detyrua të largohej nga Barcelona në vitin 2021 për shkak të problemeve financiare të klubit, pas gati dy dekadash të kaluara te blaugranët. Më pas ai u transferua te PSG, ku qëndroi dy vite.
Messi për herë të parë shprehu dëshirën për t’u kthyer në Barcelonë në janar të vitit 2023, kur kontaktoi me trajnerin e atëhershëm, Xavi Hernandez. Pikërisht Xavi besonte se rikthimi i Messit do të ngrinte më tej nivelin e ekipit, i cili në fund fitoi titullin në sezonin 2022–2023.
Gjatë muajve në vijim, dyshja mbeti në kontakt dhe diskutuan vazhdimisht mënyrën e realizimit të rikthimit. Xavi madje bisedoi edhe me babain e Messit, Jorge, dhe informoi presidentin e klubit, Joan Laporta, i cili ishte i entuziazmuar për mundësinë e rikthimit të yllit argjentinas. Drejtori sportiv Mateu Alemany gjithashtu i kishte thënë Xavit se La Liga kishte dhënë dritën jeshile për transferimin, por në fund gjithçka u prish.
Pas kësaj, Messi vendosi të transferohej në Shtetet e Bashkuara te Inter Miami, ku luan edhe sot.









