Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka komentuar planet e mundshme për vendosjen e kontingjenteve paqeruajtëse evropiane në Ukrainë, duke kritikuar ashpër idenë dhe autorët e saj.
“Sëndrrat e shumë liderëve perëndimorë për vendosjen e trupave paqeruajtëse evropiane në Ukrainë dëshmojnë për paqëndrueshmërinë politike të atyre që i propozojnë këto ide,” tha Lavrov.
Ai shtoi se këta “ëndërrimtarë” çdo ditë tregojnë “mospërshtatshmëri të plotë politike”, duke theksuar se prapa kësaj ideje qëndrojnë Londra dhe Parisi, të përkrahur nga një “kor baltik jo edhe aq i fuqishëm” dhe disa shtete të tjera.
“Dëshira e Perëndimit për ta frenuar Rusinë dhe për t’i shkaktuar një humbje strategjike i ngjan planeve të Napoleonit dhe Hitlerit. Por, ne kemi kaluar përmes të gjithave këto,” deklaroi Lavrov.
Sipas tij, evropianët aktualisht po përballen me një sërë problemesh të mëdha të brendshme, çka – siç thotë – shpjegon edhe “përpjekjet e tyre për të përshkallëzuar konfliktin në Ukrainë dhe thirrjet për vazhdimin e furnizimit me armë”.
Paraprakisht, mediat britanike raportuan se kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, kanë diskutuar mundësinë e dërgimit të një kontingjenti paqeruajtës në Ukrainë, pas arritjes së një marrëveshjeje për armëpushim.
Sipas burimeve mediatike, Starmer ende nuk ka dhënë miratimin përfundimtar.