Mes Malit të Zi dhe Rusisë fillon regjimi i vizave

Mes Malit të Zi dhe Rusisë fillon regjimi i vizave

Pas vendimit të Malit të Zi që nga 1 nëntori 2026 të vendosë regjim vizash për shtetasit rusë, edhe qytetarët e Malit të Zi do të duhet të pajisen me vizë për të udhëtuar në Rusi.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, në një deklaratë për gazetën ruse Izvestiya, tha se Ministria e Jashtme e Malit të Zi më 28 shtator e kishte njoftuar palën ruse për ndërprerjen e marrëveshjes së udhëtimit të ndërsjellë, e nënshkruar mes dy vendeve në vitin 2008.

Zakharova pretendoi se vendimi i Podgoricës do të dëmtojë interesat ekonomike të Malit të Zi.

Duke argumentuar se procesi i anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian ka dobësuar marrëdhëniet shumëvjeçare me Rusinë, Zakharova tha se regjimi i vizave mund të sjellë ulje të numrit të turistëve rusë, të ndikojë negativisht te bizneset dhe të përkeqësojë klimën e investimeve.

Ajo shtoi se autoritetet malazeze nuk duhet të presin që humbjet e mundshme ekonomike të kompensohen nga Brukseli.

Mali i Zi do të fillojë zbatimin e regjimit të vizave për shtetasit rusë nga 1 nëntori 2026. Deri më 31 tetor, shtetasit rusë do të mund të hyjnë pa vizë në vend me dokumente të vlefshme udhëtimi dhe të qëndrojnë deri në 30 ditë.

Në kuadër të rregullave të reja, detyrimi për vizë do të vendoset gjithashtu për shtetasit e Turqisë, Arabisë Saudite dhe Bjellorusisë.

Zakharova kritikoi gjithashtu harmonizimin e politikës së vizave të Malit të Zi me atë të BE-së, duke pretenduar se ky proces kufizon mundësinë e vendeve të ardhshme anëtare të Bashkimit Evropian për të ndjekur politika të pavarura.

Kategoritë
LajmeRajoni