Dy ish-yjet e Premier Ligës, Edin Dzeko dhe Dushan Tadiç, kanë refuzuar të luajnë në ndeshjen e fundit të sezonit për Fenerbahçen, raportojnë sot mediat britanike.
Fenerbahçe u përball në shtëpi me Konyasporin në ndeshjen e fundit të kampionatit, pasi e kishte siguruar më herët vendin e dytë në tabelë, duke mos arritur të sfidojë në mënyrë serioze Galatasarayn në garën për titull.
Megjithatë, dy prej lojtarëve më me përvojë të skuadrës munguan në ndeshje, dhe tani është bërë e ditur se as nuk kishin dëshirë të luanin. Džeko dhe Tadić pritej të merrnin një lamtumirë të denjë, pasi kishin njoftuar se do të largoheshin nga klubi gjatë kësaj vere, por ata vendosën të mos pranojnë asnjë ceremoni në stadium për shkak të frikës nga reagimet e tifozëve.
Tifozët e Fenerbahçes kishin shprehur zemërim ndaj lojtarëve pas një ndeshjeje muajin e kaluar, dhe ekzistonte shqetësimi se një situatë e ngjashme mund të përsëritej edhe dje. Për këtë arsye, Džeko dhe Tadić vendosën të bëjnë lamtumirën në qendrën stërvitore.
Ceremonisë i ishin bashkuar bashkëlojtarët e tyre, presidenti i klubit Ali Koç dhe nënkryetari Acun Ilıcalı. Drejtori sportiv Mario Branco dhe katër trajnerë nga stafi i Mourinhos gjithashtu u larguan nga klubi para përfundimit të verës.
Galatasaray zhvilloi të shtunën një ceremoni lamtumire në stadiumin e vet për yjet që po largohen, Fernando Muslera dhe Dries Mertens, gjë që shkaktoi zemërim te tifozët e Fenerbahçes që nuk patën mundësinë të përshëndeteshin me Džekon dhe Tadićin.
Më vonë, Tadiç publikoi një deklaratë në të cilën shpjegoi pse ai dhe Dzeko nuk ishin paraqitur në stadium për ndeshjen e fundit.
“Vendimin për të mos luajtur në ndeshjen e fundit e morëm bashkë me Džekon. Nuk donim të dëmtonim imazhin e Fenerbahçes. Tifozët gjithmonë na kanë mbështetur. Mua nuk më shqetëson mënyra se si u përshëndetëm. Do të preferoja të ishte në stadium, por atmosfera aktualisht nuk është e mirë. Prandaj ishte më mirë kështu,” thuhet në deklaratën e tij.
Fenerbahçe e mbylli sezonin me një fitore 2:1 ndaj Konyasporit dhe përfundoi me 84 pikë, 11 më pak se Galatasaray. Sezoni u mbyll pa asnjë trofe dhe me largimin e Džekos dhe Tadićit. Džeko e përfundon sezonin me 46 gola në 99 ndeshje për Fenerbahçen, ndërsa Tadić realizoi 29 gola në 109 paraqitje.