Vuçiq kërcënon: Nëse vazhdojnë terrorin, do të detyrohemi të organizohemi vetë, jam i gatshëm për çdo lloj sakrifice

Vuçiq kërcënon: Nëse vazhdojnë terrorin, do të detyrohemi të organizohemi vetë, jam i gatshëm për çdo lloj sakrifice

Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbajti një fjalim gjatë shënimit të festës së shenjtores mbrojtëse të Partisë Përparimtare Serbe, dy ditë pas humbjes në zgjedhje përballë Listës Studentore. Ai kërcënoi se përparimtarët do të organizohen vetë nëse shteti nuk i mbron dhe se nuk do të ketë dialog nëse mbyllet Informeri.

Vuçiq iu drejtua anëtarëve dhe zyrtarëve të SNS-së në selinë e partisë në Beogradin e Ri, ku përparimtarët shënuan festën e Shën Petkës. Ai tha se partia këtë vit po feston “në kushtet e një terrori të mirëfilltë revolucionar” dhe se SNS-ja do të përndiqet sepse nuk e njohu Kosovën dhe nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë.

“Para nesh është një periudhë shumë e vështirë. Do të na përndjekin, do të na përndjekin sepse kurrë nuk do të mund ta bëjnë atë që kemi bërë ne. (…) Ata janë të gatshëm vetëm për terror ndaj atyre që mendojnë ndryshe”, tha Vuçiq.

Fjalimin e mbajti një ditë pasi protestuesit u mblodhën para televizionit Informer dhe një pjesë e tyre hynë në ambientet e tij. Vuçiq pretendoi se pronarit dhe kryeredaktorit të Informerit, Dragan J. Vuçiqeviq, i ishte rrezikuar jeta dhe kritikoi veprimet e policisë.

“Nëse shteti nuk reagon, do të na duhet të marrim vendimet tona”

“U kërkojmë organeve shtetërore të punojnë shumë më me efikasitet sesa dje. E keni për detyrë të veproni si organe shtetërore, pavarësisht nëse dikush ju pëlqen apo jo. Ajo që ndodhi dje ishte e tmerrshme. Vetëm kur erdhën pjesëtarët e brigadës së policisë, u shpëtua jeta e Dragan Vuçiqeviqit”, tha ai.

Protestuesit i quajti barbarë dhe i akuzoi se kishin dashur ta poshtëronin dhe ta keqtrajtonin pronarin e Informerit.

“Nëse shteti nuk reagon, në ditët në vijim do të na duhet të marrim vendimet tona”, deklaroi ai, ndërsa të pranishmit e ndërprenë me duartrokitje.

Pak më vonë, ai sqaroi se çfarë kishte parasysh.

“Nëse vazhdojnë terrorin ndaj njerëzve që mendojnë ndryshe, rrahjet, dhunën, shkatërrimet dhe gjithçka tjetër, ndërsa organet shtetërore nuk ndërmarrin asgjë, do të detyrohemi të organizohemi vetë. Dhe le ta dinë se mbajnë të gjithë përgjegjësinë për këtë”, tha Vuçiq.

“Ju nuk mund ta duroni që ekziston dikush që mendon ndryshe. Madje mendoni se keni të drejtë ta rrihni, ta vrisni, ta përndiqni dhe gjithçka tjetër. Nuk e keni këtë të drejtë, zotërinj. Nëse shteti nuk na mundëson të punojmë në paqe, nuk kemi zgjidhje tjetër. Do të na duhet t’i mbrojmë vetë jetët tona”, shtoi ai.

“Nëse e mbyllni Informerin, për katër vjet nuk ka bisedime me ne”

Vuçiq u ndal veçanërisht te nisma e Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë (NUNS) për t’ia hequr Informerit licencën e transmetimit.

“Do ta mbyllni televizionin Informer, mendoni se keni të drejtë ta bëni këtë? Ndërsa ne nuk i prekëm kurrë, as për gjysmë dite, as N1-shin dhe as Nova S-në, që i sollën vërtet të keqe këtij vendi. I sollën të keqe të mirëfilltë këtij vendi. Sollën këtë urrejtje në këtë vend. Gjatë gjithë kësaj kohe mbështetën gjithçka antiserbe dhe ne nuk i prekëm kurrë, sepse kjo është demokracia dhe respektimi i mendimit ndryshe”, tha ai.

Më pas kërcënoi me ndërprerjen e çdo dialogu politik nëse Informeri mbetet pa licencë.

“Doni ta mbyllni Informerin? Ta dini se gjatë katër vjetëve të ardhshëm nuk ka bisedime me ne. Nuk ka dialog për asnjë çështje. Nuk do të vijmë askund. Në asnjë bisedë me ju”, deklaroi ai.

“Doni ta shfuqizoni demokracinë? Kjo nuk do të kalojë pa rezistencë”

Vuçiq pretendoi se SNS-ja dhe grupi i saj parlamentar janë kundërshtarët e vetëm të vërtetë të pushtetit të ri.

“Ata kanë vetëm një kundërshtar në Serbi. Kjo është lista jonë dhe grupi ynë parlamentar. Nuk kanë tjetër. Doni terror? Doni të mos keni askënd përballë? Doni ta shfuqizoni demokracinë? Doni ta shfuqizoni parlamentin, të shfuqizoni gjithçka? E pra, kjo nuk do të kalojë pa rezistencë. Kjo nuk do të kalojë pa rezistencë”, tha ai.

Ai kujtoi edhe vitin 2000, kur Sllobodan Millosheviqi u rrëzua nga pushteti.

“Kam parë mjaft gjëra të tilla që nga viti 2000. E kam parë sa të fortë e të fuqishëm ishin për një vit të tërë. Keqtrajtonin këdo që mundnin. E më pas u bënë më të vegjël se një kokërr lulëkuqeje”, tha ai.

Vuçiq pretendoi gjithashtu se partia e tij nuk i kishte kërcënuar kurrë kundërshtarët politikë, nuk kishte mbyllur televizione dhe as shkatërruar ambiente partiake.

Duke folur me ironi për Listën Studentore fituese, Vuçiq tha se dëshiron që shumica e re ta marrë pushtetin sa më shpejt.

“Ne duam që ata ta formojnë qeverinë sa më shpejt. Ta tregojnë dijen e tyre të jashtëzakonshme. Le t’i sjellin të gjithë këshilltarët e tyre nga Mali i Zi. Të gjithë ekspertët”, tha ai.

Ai përmendi Ilija Srdanoviqin, Dejan Shoshkiqin dhe Radomir Sajçiqin, figura të njohura të Listës Studentore, duke u përpjekur t’i lidhte me Malin e Zi dhe ish-presidentin malazez, Millo Gjukanoviq.

“Ja ku është njëri në Dubai, ndërsa tjetri tani po pushon në Katunska Nahija. Shefi i tij është Millo Gjukanoviqi. Le të merren vesh të gjithë si të duan. Le të bëjnë çfarë të duan, por në përputhje me ligjin. Pastaj të shohim se si dhe deri kur do ta durojnë këtë qytetarët e Serbisë”, tha ai.

Vuçiq sulmoi veçanërisht Shoshkiqin, ish-guvernatorin e Bankës Kombëtare të Serbisë, të cilin e akuzoi për korrupsion pa paraqitur prova.

“Kë do ta ndjekë penalisht Shoshkiqi për korrupsion? Si do ta përballojë këtë kur ai vetë është njeriu më i korruptuar? Njeriu më i korruptuar. Dhe askush nuk e ndoqi penalisht, por punoi i qetë si profesor. Kë do të ndjekin penalisht për korrupsion ai dhe qeveria e tij?”, pyeti Vuçiq.

“Nuk janë në gjendje ta përballojnë me dinjitet as fitoren”

Vuçiq përsëriti disa herë se kundërshtarët e tij, pavarësisht fitores në zgjedhje, nuk dëshirojnë uljen e tensioneve.

“Që ju të doni t’i poshtëroni, t’i rrihni dhe t’i keqtrajtoni njerëzit për të cilët votuan një milion e shtatëqind mijë, një milion e tetëqind mijë qytetarë, këtë nuk e kam parë kurrë”, tha ai.

“Disa nuk janë në gjendje ta përballojnë me dinjitet fitoren, e lëre më humbjen. Ata nuk janë në gjendje të dërgojnë asnjë mesazh pajtimi, bashkimi, qetësimi, asgjë”, shtoi ai.

Ai u ndal edhe te përpjekja e protestuesve për të penguar shënimin e festës së SNS-së në Gornji Millanovac.

“Imagjinoni, njerëz, ata sot erdhën për t’i terrorizuar njerëzit që po festojnë në Gornji Millanovac. Njerëz të tillë nuk i pranojnë as në spital psikiatrik. Erdhën disa rrugaçë, që kanë marrë mendjen se kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Kjo te ne nuk ndodhte as në vitin 1945”, tha ai.

Vuçiq deklaroi se humbja në zgjedhje nuk do ta heshtë dhe as do ta detyrojë të tërhiqet nga politika.

“A menduat vërtet se u frikësova prej tyre? A menduat vërtet se nuk do të jem me ju? Do të jem me secilin prej jush”, u tha ai anëtarëve të mbledhur të SNS-së.

“Problemi është se disa njerëz si unë nuk mund t’i heshtni. Edhe në burg të më fusni, nuk mund të më heshtni. Edhe në varr të më fusni, do të flas nga varri dhe nuk do të mund të më heshtni. Është e kotë”, tha ai.

Ai tha se është i gatshëm edhe për sakrifica personale.

“Jam i gatshëm të përballoj çdo lloj sakrifice. Çfarëdo që të bëjnë, sido që të veprojnë, ta dinë vetëm një gjë: kurrë nuk do të ma thyejnë shpirtin”, deklaroi ai.

Vuçiq hodhi poshtë edhe pretendimet se anëtarët e familjes së tij janë larguar nga Serbia pas zgjedhjeve.

“Të gjithë anëtarët e familjes Vuçiq janë në Serbi. Askush nuk është larguar dhe kurrë nuk do të largohet. Vetëm që ta dini”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët nëse telefoni i tij bie si para zgjedhjeve, Vuçiq u përgjigj se sjellja e disa njerëzve tashmë ka ndryshuar.

“Meloditë janë të ndryshme. Ata që më telefononin çdo ditë, vetëm që t’u bëja këtë apo atë, duket se e kanë humbur numrin tim gjatë këtyre dy ditëve”, tha ai.

Ai paralajmëroi se nga partia do të largohen edhe disa biznesmenë dhe pronarë mediash që deri tani e kishin mbështetur.

“Do të largohen nga ne disa manjatë mediatikë. Do të largohen disa biznesmenë që herë pas here betoheshin për besnikëri, por në të vërtetë nuk ishin kurrë tanët. Dhe nuk kemi problem me këtë”, tha ai.

Vuçiq kritikoi edhe televizionin Prva, të cilit ia zuri për të madhe se pas zgjedhjeve kishte ndryshuar qëndrimin ndaj SNS-së.

“I përgëzoj këta të televizionit Prva. Sa kohë iu desh? Dymbëdhjetë orë për të ndërruar anë. U lumtë. U bënë kampionë. Natyrisht që nuk ishin kurrë tanët”, tha ai.

Ai pretendoi gjithashtu se së shpejti do të dëshmohet se kishte pasur të drejtë gjatë fushatës.

“Së shpejti do ta shihni se për gjithçka që ju kemi thënë gjatë fushatës, nga sanksionet ndaj Rusisë e deri te gjithçka tjetër, fatkeqësisht kemi pasur të drejtë”, tha ai, pa dhënë shpjegime të tjera.

Fjalimin e përfundoi me një urim për anëtarët e partisë.

“Gëzohuni, festoni sot dhe jini krenarë. Jini krenarë që ne për 14 vjet nuk kemi bërë aq të këqija sa ata për një ditë të vetme”, tha ai.

SNS-ja humbi pushtetin pas 14 vjetësh

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën, më 25 tetor, Lista Studentore fitoi shumicën, duke i dhënë fund sundimit 14-vjeçar të SNS-së. Vuçiq e pranoi humbjen.

Fitorja e lëvizjes studentore erdhi pas gati dy vjetësh protestash masive, të cilat nisën pasi 16 persona humbën jetën nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit. Studentët kërkonin përgjegjësi për tragjedinë, luftë kundër korrupsionit dhe funksionim të institucioneve, ndërsa tani i pret formimi i qeverisë së re.

Kategoritë
LajmeRajoni