Markat kineze ndërpresin bashkëpunimin me Mbappe-n për shkak të deklaratave që “lëndojnë ndjenjat kombëtare”

Markat kineze ndërpresin bashkëpunimin me Mbappe-n për shkak të deklaratave që “lëndojnë ndjenjat kombëtare”

Vendimi vjen pasi Kylian Mbappe tha në një intervistë se memja e tij e preferuar është “ajo ku vendosin fytyrën time mbi atë të një diktatori kinez (Mao Zedong)”

Markat kineze kanë ndërprerë partneritetet me sulmuesin e Real Madridit, Kylian Mbappe, për shkak të deklaratave që “lëndojnë ndjenjat kombëtare”.

Vendimi erdhi pas përhapjes së një videoje, në të cilën Mbappe, shtetas francez, duket se thotë se memja e tij e preferuar është “ajo ku vendosin fytyrën time mbi atë të një diktatori kinez (Mao Zedong)”, duke shtuar se kjo e bën të qeshë dhe se e ndan me miqtë e tij.

Autenticiteti i videos nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur. Dongpeng Beverage Group njoftoi sot se po e ndërpriste kontratën me Mbappe, sipas medias Guancha me seli në Shangai.

Kompania tha se kundërshtonte fuqishëm dhe kishte “zero tolerancë” ndaj sjelljeve që lëndojnë ndjenjat kombëtare. Mbappe ishte imazhi i Bushuila-s, markës së pijeve me elektrolite të Dongpeng.

Më herët, platforma kineze e futbollit Dongqiudi tha të hënën në mbrëmje se Mbappe kishte bërë deklarata të papërshtatshme për Kinën në një intervistë të fundit, të cilat “lënduan ndjenjat e Kinës dhe të popullit kinez”.

Mengniu, një nga prodhuesit më të mëdhenj të produkteve të qumështit në Kinë, gjithashtu ka ndërprerë bashkëpunimin me Mbappe për këtë çështje, duke thënë se kompania nuk toleron “fjalë apo veprime që lëndojnë ndjenjat e popullit kinez”, sipas Jimu News.

Kategoritë
Sport