Kryeministri i Sllovenisë, Janez Janša, deklaroi se vendi i tij nuk do ta mbështesë përparimin e Serbisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE), përderisa Serbia nuk ia dorëzon Sllovenisë arkivat e shërbimeve sekrete nga periudha e ish-Jugosllavisë.
Në një postim në platformën sociale X, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, Janša theksoi se çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve kanë rëndësi për negociatat e anëtarësimit në BE.
Megjithëse komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, kishte deklaruar më herët se dyert e BE-së janë të hapura për Serbinë, Janša theksoi se çështja e arkivave duhet të zgjidhet për të mundësuar përparimin në procesin e anëtarësimit.
“Nuk do të japim miratimin pa u dorëzuar arkivat”
Duke e mirëpritur mundësinë që udhëheqja e re në Serbi të përshpejtojë negociatat e anëtarësimit në BE, Janša vendosi një kusht të qartë.
“Përderisa Serbia nuk i dorëzon të gjitha arkivat që lidhen me Slloveninë të UDBA-s, SDV-së, Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë (JNA), ZSNZ-së dhe shërbimeve të tjera të sigurisë nga periudha e ish-Jugosllavisë, nuk do të miratojmë asnjë përparim”, deklaroi Janša.
Deklarata e kryeministrit slloven erdhi në një periudhë kur, pas zgjedhjeve në Serbi, janë rikthyer në vëmendje diskutimet mbi procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
