Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Shqipëria nënshkruajnë deklaratë të përbashkët për nominimin e Prespës në UNESCO

Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Shqipëria nënshkruajnë deklaratë të përbashkët për nominimin e Prespës në UNESCO

Deklarata u nënshkrua gjatë një takimi trepalësh të mbajtur në Greqi nga ministrat e kulturës dhe turizmit të tre vendeve.

Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Shqipëria kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të rajonit të Prespës, si dhe për përgatitjen e nominimit të këtij rajoni për Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, transmeton Anadolu.

Deklarata u nënshkrua gjatë një takimi trepalësh të mbajtur në Greqi nga ministri i Kulturës dhe Turizmit i Maqedonisë së Veriut, Sedat Sulejmani, ministrja e Kulturës e Greqisë, Lina Mendoni dhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja.

Siç njofton Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Maqedonisë së Veriut, në takim morën pjesë edhe ambasadori dhe shefi i Delegacionit të BE-së në Shkup, Mihalis Rokas, drejtuesi i zyrës së UNESCO-s në Sarajevë pranë Byrosë Rajonale të UNESCO-s në Venecia, Sinisa Sesum, koordinatorja e përhershme e OKB-së në Maqedoninë e Veriut, Rita Columbia, si dhe përfaqësues të vetëqeverisjeve lokale dhe institucioneve nga të tre vendet.

Duke folur në takim, Sulejmani theksoi se nominimi i përbashkët për UNESCO-n përbën një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet tre vendeve, duke shtuar se synimi nuk është vetëm njohja ndërkombëtare e rajonit, por edhe menaxhimi i tij afatgjatë dhe i qëndrueshëm, me përfitime konkrete për komunitetet lokale.

“Prespa, në aspektin natyror dhe historik, ka përbërë gjithmonë tërësi të vetme, ndonëse brigjet e saj i ndajnë tre shtete fqinje. Pikërisht në këtë bukuri komplekse qëndron edhe përgjegjësia jonë, ta shndërrojmë në arsye për bashkëpunim të vazhdueshëm, të koordinuar mirë dhe të orientuar drejt rezultateve”, tha Sulejmani.

Ai theksoi se tre vendet kanë krijuar tashmë një bazë të mirë për thellimin e bashkëpunimit, duke përmendur aktivitetet dhe projektet e përbashkëta ku kanë marrë pjesë institucione dhe ekspertë nga Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Shqipëria.

“Prespa meriton të jetë hapësirë ku respektohen dallimet, ndërsa kultivohen vlerat e përbashkëta. Kur i bashkojmë njohuritë, vullnetin e mirë dhe interesin e përbashkët për këtë rajon, ne nuk ndërtojmë vetëm projekte, ndërtojmë bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të pjekur ndërmjet tre vendeve tona”, tha ai.

Kategoritë
LajmeRajoni