Maqedonci kujton Afrim Bunjakun: Kosova do të rris kapacitetet e saj ushtarake

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka kujtuar rreshterin e Policisë Afrim Bunjaku që u vra gjatë përballjes me grupin e armatosur serb që kreu sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Teksa vlerësoi lartë kontributin e heroit Bunjaku, Maqedonci ka theksuar se Kosova do të rrisë kapacitetet e saj ushtarake. Më tej ai tha se kriminelët që e orkestruan gjithë sulmin e 24 shatorit të 2023-ës po shëtiten lirshëm nëpër Serbi.

“Në dy vjetorin e sulmit terrorist në Banjskë, me qëllim aneksimin e Veriut sipas metodës së njohur ruse, kujtojmë me nderimet më të larta heroin e Kosovës, rreshterin e policisë së Kosovës Afrim Bunjakun, i cili ra në krye të detyrës e në mbrojtje të sovranitetit të vendit! Njëkohësisht, nderojmë angazhimin e organeve tona të sigurisë për ta përmbyllur me sukses operacionin special i cili konfirmoj vullnetin dhe kapacitetet tona për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit. Dy vite pas, kriminelët që orkestruan këtë aksion terrorist shëtiten të lirë nëpër Serbi, konfirmim shtesë i mbështetjes shtetërore serbe për këtë veprim. Shteti i Kosovës nuk e harron kurrë sakrificën e Afrim Bunjakut dhe gjithë dëshmorëve tjerë, gjaku i së cilëve forcojnë themelet e përjetshme të Republikës.  Kosova do të rris kapacitetet e saj ushtarake si forma më e mirë për të siguruar mbrojtjen dhe paqen në rajon!  Lavdi për Afrim Bunjakun, lavdi për të gjithë dëshmorët e Kosovës”, ka shkruar Maqedonci.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi