Mali i Zi pranon një nga kërkesat e Kroacisë: Ndryshon emrin e pishinës në Kotor

Mali i Zi pranon një nga kërkesat e Kroacisë: Ndryshon emrin e pishinës në Kotor

Me ndryshimet në Ligjin për Sportin, Mali i Zi i ka hapur rrugë ndryshimit të emrit të pishinës “Zoran Džimi Gopčević” në Kotor, që është një nga kërkesat e Kroacisë në kuadër të zgjidhjes së çështjeve dypalëshe mes dy vendeve, raportojnë mediat nga Podgorica.

Parlamenti malazez miratoi mbrëmë vonë ndryshimet në Ligjin për Sportin, të cilat ndër të tjera parashikojnë që objektet sportive mund të mbajnë emrin e personave vetëm nëse kanë kaluar të paktën 40 vjet nga vdekja e tyre.

Nga vdekja e vaterpolistit Zoran Gopčević, i cili sipas pretendimeve të ish-të burgosurve ka qenë roje në kampin e Morinjit, kanë kaluar 26 vjet.

Me ndryshimet ligjore përcaktohet gjithashtu se emërtimet e objekteve sportive pushojnë së vlefshmi nëse nuk janë në përputhje me dispozitat e reja.

Kjo do të thotë se pishina në Kotor, pas publikimit të ndryshimeve në Fletoren Zyrtare të Malit të Zi dhe përfundimit të procedurave të parashikuara, nuk do ta mbajë më emrin “Zoran Džimi Gopčević”.

Zagrebi bllokoi mbylljen e kapitullit 31

Podgorica vendosi ta ndërmarrë këtë hap pasi pushteti lokal në Kotor nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme në kuvendin komunal për ndryshimin e emrit të pishinës.

Portali Vijesti.me kujton se Zagrebi kishte refuzuar të jepte pëlqimin për mbylljen e kapitullit 31, që lidhet me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Për zhbllokimin e tij, Kroacia kërkon, ndër të tjera, kthimin e pronave të konfiskuara kroatëve në Mal të Zi, dëmshpërblimin e ish-të burgosurve të kampit Morinj, zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kroaci, si dhe ndryshimin e emrit të pishinës në Kotor.

Kuvendi lokal i Kotorit në gusht të vitit 2021 vendosi që pishina të marrë emrin e Gopčevićit, të cilin e cilësuan si një nga vaterpolistët më të mirë malazezë.

Zagrebi e dënoi këtë vendim, duke pretenduar se Gopčević kishte qenë roje në kampin Morinj. Klubet kroate dhe kombëtarja kroate refuzonin të luanin në atë pishinë.

Mali i Zi synon të hyjë në BE në vitin 2028

Mali i Zi është vendi kandidat më i avancuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kohët e fundit ai mbylli përkohësisht edhe tri kapituj të tjerë negociues dhe tashmë ka gjithsej 21 kapituj të mbyllur përkohësisht nga 33 gjithsej.

Autoritetet malazeze synojnë t’i përfundojnë negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2026, në mënyrë që Mali i Zi në vitin 2028 të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian.

Marrëdhëniet mes Malit të Zi dhe Kroacisë vazhdojnë të rëndohen nga një sërë çështjesh të hapura dypalëshe, përfshirë pronësinë e anijes shkollore “Jadran”, përcaktimin e kufirit në Prevlakë, kthimin e pronave dhe çështje të lidhura me trashëgiminë e luftës.

Zagrebi këmbëngul që këto çështje të zgjidhen në kuadër të rrugës evropiane të Malit të Zi, ndërsa Podgorica thekson gatishmërinë për zgjidhjen e tyre përmes dialogut dhe mban qëndrimin se mosmarrëveshjet dypalëshe nuk duhet ta rëndojnë procesin e anëtarësimit.

Kategoritë
LajmeRajoni