Mali i Zi nga 1 nëntori vendos viza për shtetasit e Turqisë, Bjellorusisë, Kinës, Rusisë dhe Arabisë Saudite

Ndryshimet në Rregulloren për Regjimin e Vizave u miratuan nga Qeveria e Malit të Zi si pjesë e përpjekjeve të vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Mali i Zi nga 1 nëntori i vitit 2026 do të vendosë viza për shtetasit e Turqisë, Bjellorusisë, Kinës, Rusisë dhe Arabisë Saudite, si pjesë e përpjekjeve të këtij vendi në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, transmeton Anadolu.

“Qeveria e Malit të Zi më 23 korrik 2026 miratoi Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Regjimin e Vizave, sipas dispozitave të së cilës shtetasit e vendeve që kanë krijuar mospërputhje mes regjimit të vizave të Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian (Bjellorusia, Kina, Rusia, Arabia Saudite dhe Turqia), nga 1 nëntori 2026 do të kenë nevojë për vizë për hyrje në Mal të Zi”, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi.

MPJ-ja e Malit të Zi tha se ndërkohë ka ndërmarrë hapa të caktuar në mënyrë që procesi i marrjes së vizës malazeze për shtetasit e vendeve të përmendura “të jetë sa më i thjeshtë dhe i qasshëm”.

“Risia më e rëndësishme për qytetarët që kanë nevojë për vizë malazeze është se kërkesat nuk do të duhet të dorëzohen më ekskluzivisht në përfaqësitë diplomatike-konsullore të Malit të Zi. Falë bashkëpunimit me kompaninë VFS Global, partnerin kryesor global për ofrimin e shërbimeve të vizave, kërkesat për lëshimin e vizave malazeze tashmë mund të dorëzohen në qendrat e aplikimit të VFS-së në Indi, Bangladesh, Kirgistan, Azerbajxhan, Turqi, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Rusi”, thuhet në njoftimin e MPJ-së malazeze.

Nga ministria shtuan se në periudhën e ardhshme do të hapen qendra në Pakistan, Kinë, Armeni, Kazakistan, Filipine, Katar, Arabinë Saudite, Bahrein, Bjellorusi, Nepal dhe Uzbekistan, ndërsa është planifikuar zgjerimi i mëtejshëm i rrjetit edhe në Jordani, Kuvajt, Tajlandë dhe Indonezi.

Në këtë mënyrë, shtetasit e huaj do të mund të paraqesin kërkesën për vizë malazeze në qendrën më të afërt të aplikimit të VFS-së, pa pasur nevojë të udhëtojnë drejt ambasadave ose konsullatave të Malit të Zi, gjë që do ta thjeshtojë ndjeshëm procedurën dhe do ta bëjë atë më të shpejtë dhe më të qasshme.

MPJ-ja e Malit të Zi shtoi se me vendimin e fundit për ndryshimin e sistemit të vizave, ky vend “përmbush një nga detyrimet e rëndësishme në rrugën drejt anëtarësimit në BE” dhe njëkohësisht “modernizon sistemin e vizave dhe lehtëson qasjen në vend për qytetarët e tregjeve të shumta”.

“Në këtë mënyrë forcohen siguria, digjitalizimi i administratës publike dhe konkurrueshmëria e Malit të Zi si destinacion turistik dhe investues”, theksoi MPJ-ja e Malit të Zi.

Në marrëdhëniet Podgoricë-Ankara, çështja e regjimit të vizave ishte në fokus edhe në tetor të vitit 2025, kur Qeveria e Malit të Zi pezulloi përkohësisht regjimin pa viza me Turqinë. Pezullimi i përkohshëm i regjimit pa viza për shtetasit turq u vendos pas një incidenti në Podgoricë, për të cilin disa media lokale fillimisht pretenduan se ishin të përfshirë shtetas turq. Hetimi i mëvonshëm tregoi se shtetasit turq nuk kishin lidhje me sulmin.

Gjykata e Lartë në Podgoricë njoftoi më 31 tetor se dy persona, të arrestuar nën dyshimin se kishin lidhje me sulmin me thikë më 25 tetor, u liruan nga paraburgimi pasi u konstatua se nuk kishin lidhje me incidentin dhe se në kohën e sulmit nuk ndodheshin në vendngjarje.

Vendimi për vendosjen e mëparshme të regjimit të vizave shkaktoi gjithashtu kritika nga një pjesë e zyrtarëve malazezë.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, deklaroi në nëntor se kjo masë ishte e nxituar dhe e dëmshme ekonomikisht, duke theksuar se faji kolektiv ndaj cilitdo popull ishte i papranueshëm.

Ministri i Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq, menjëherë pas kësaj vizitoi Stambollin, ku zhvilloi bisedime me zyrtarë turq dhe shprehu shpresën për heqjen sa më të shpejtë të vizave, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira mes Podgoricës dhe Ankarasë.

Mali i Zi më 23 dhjetor rivendosi regjimin pa viza për shtetasit e Turqisë, duke shkurtuar kohëzgjatjen e lejuar të qëndrimit nga 90 në 30 ditë.

Vendimi i fundit për vizat e rregullon në mënyrë të përhershme këtë marrëdhënie përmes harmonizimit të detyrueshëm me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Kategoritë
LajmeRajoni