Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zhvilluan një bisedë telefonike, pas së cilës Macron postoi një mesazh në alfabetin cirilik, ku shprehu mbështetjen për rrugën evropiane të Serbisë.
“Diskutuam për çështje bilaterale dhe bëmë një përmbledhje pas kontakteve të tij të fundit në Bruksel. I përsërita dëshirën time që Serbia të vazhdojë të përparojë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian,” shkroi Macron.
Presidenti francez konfirmoi marrëdhëniet e mira me Vuçiqin, pa u ndalur në protestat dhe bllokadat studentore që po zhvillohen prej muajsh si pasojë e pakënaqësive me punën e institucioneve shtetërore.
Vuçiq gjithashtu reagoi, duke thënë se kishte pasur një “bisedë shumë të mirë” me Macronin dhe se beson që miqësia dhe partneriteti me Francën sjell përfitime të mëdha për qytetarët e Serbisë.
“Të dy theksuam rëndësinë e përmirësimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tona dhe në këtë drejtim ramë dakord të takohemi në prill të këtij viti,” njoftoi Vuçiq.