LDK kryen takimin për zgjedhjet lokale, Abdixhiku: Javët në vijim përzgjedhja e kandidatëve për kryetarë e asamblistë

Lumi Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është deklaruar pas takimit që kryetarët e degëve të kësaj partie e kanë zhvilluar sot, duke njoftuar se LDK-ja ka nisur fazën e parë të konsultimeve dhe përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale 2025 

I pari LDK’së ka shkruar se në javët në vijim, LDK do të zhvillojë një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë komunash dhe asamblistë.

‘‘Fazën e parë të konsultimeve dhe përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale 2025 e nisëm zyrtarisht sot; në takim me kryetarët e degëve të LDK-së. Gjatë javëve në vijim, LDK do të zhvillojë një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë komunash dhe asamblistë. Synimi ynë është të identifikojmë njerëz me integritet, aftësi profesionale dhe gatishmëri për të kontribuar me dinjitet në shërbim të qytetarëve, në çdo cep të vendit’’, ka shkruar ai.

Tutje, Abdixhiku, ka shkruar se LDK u bën ftesë të gjithë atyre që e ndajnë të njëjtin vizion me këtë parti që të bëhen pjesë aktive e këtij procesi.

Pos kësaj, ai ka shtuar edhe se LDK mbetet shtëpi e vlerave të qëndrueshme dhe vizionit të qartë për zhvillimin e komunave

‘‘LDK fton të gjithë ata që ndajnë vizionin politik dhe vlerat themelore të njëjta si tonat, si dhe ata që kanë vullnetin për të përfaqësuar me përgjegjësi qytetarët e Republikës së Kosovës, rrjedhimisht të komunave përkatëse të bëhen pjesë aktive e këtij procesi të rëndësishëm në shërbim të interesit publik komunal. LDK mbetet shtëpi e vlerave të qëndrueshme dhe vizionit të qartë për zhvillimin e komunave. Prandaj, bashkë me anëtarësinë tonë të gjerë dhe çdo qytetar të angazhuar për një Kosovë më të mirë, do të bëhemi pjesë aktive e këtij rrugëtimi. Të përgatitur e të angazhuar bashkërisht do të sjellim edhe njëherë fitore bindëse dhe përfaqësim të dinjitetshëm në çdo komunë të vendit’’, ka shtuar ai.

Në fund, kryetar i LDK-së do të hyjë me besim të palëkundur në procesin e zgjedhjeve lokale.

‘‘Si parti fituese e zgjedhjeve të fundit lokale, me përgjegjësi qeverisëse në nëntë komuna dhe me 206 këshilltarë lokalë, LDK-ja hyn në këtë proces me përkushtim të plotë dhe besim të palëkundur në fuqinë e saj përfaqësuese. Na priftë e mbara!’’, ka përfunduar ai.

Kategoritë
LajmeVendi