Lavrov: Rusia është e gatshme të nënshkruajë një marrëveshje të re për sigurinë e lundrimit në Detin e Zi

Rusia ka njoftuar se është e gatshme të arrijë një marrëveshje të re për sigurinë e lundrimit në Detin e Zi – një hap që mund të nxisë një armëpushim me Ukrainën, por vetëm nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i japin urdhër presidentit Volodymyr Zelensky që ta respektojë atë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se vetëm një urdhër i tillë do të ofronte garancitë që Rusia i konsideron të nevojshme.

Të dyja palët janë fajësuar ndërsjellë për dështimin e marrëveshjes paraprake të vitit 2023, e cila synonte të garantonte sigurinë e transportit tregtar në Detin e Zi, pas nisjes së ofensivës ruse në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

“Na duhen garanci të qarta. Dhe duke pasur parasysh përvojën e hidhur me marrëveshjet vetëm me Kievin, këto garanci mund të jenë vetëm rezultat i një urdhri nga Uashingtoni për Zelenskyn dhe ekipin e tij që të bëjnë një gjë dhe jo një tjetër”, tha Lavrov për televizionin rus.

Ai shprehu bindjen se partnerët amerikanë do ta kuptojnë këtë mesazh.

“Ata e dinë që vetëm Uashingtoni mund të arrijë rezultate pozitive në ndalimin e sulmeve terroriste, ndalimin e granatimeve ndaj infrastrukturës civile, infrastrukturës energjetike që nuk ka lidhje me kompleksin ushtarako-industrial”, shtoi shefi i diplomacisë ruse.

Rusia shpesh e akuzon Ukrainën për veprime “terroriste”, ndërsa Kievi përdor të njëjtin gjuhë në reagim ndaj sulmeve ruse, të cilat gjatë tri viteve të luftës kanë shkaktuar mijëra viktima në mesin e civilëve ukrainas.

Kategoritë
BotaLajme