Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, komentoi për mediat ruse negociatat e fundit teknike mes delegacioneve ruse dhe amerikane, duke theksuar disa nga kushtet kryesore të Kremlinit.
Ai konfirmoi se bisedimet kanë të bëjnë me sigurinë e lundrimit në Detin e Zi dhe paraqiti një sërë kushtesh që duhen përmbushur për të vazhduar me Iniciativën e Detit të Zi.
“Rusia është për rikthimin e Iniciativës së Detit të Zi, por në një formë më të pranueshme për të gjitha palët. Moska këmbëngul që nisma e re e paqes të jetë e qartë dhe e çliruar nga paqartësitë, si dhe që Rusisë t’i ofrohen garanci të qarta”, tha Lavrov.
Sipas tij, Ukraina nuk mund të jetë garant për zbatimin e kësaj iniciative, pasi qëllimi afatgjatë i saj është ta largojë Rusinë nga tregu botëror i drithërave dhe plehrave kimike.
Lavrov gjithashtu kërkoi nga SHBA që t’u ndalojë forcave ukrainase “kryerjen e sulmeve terroriste dhe bombardimin e objektivave civile”.
Fjalimin e tij, Lavrov e përfundoi duke thënë se “përpjekjet për të mposhtur strategjikisht Rusinë janë provuar më parë – si nga Hitleri ashtu edhe nga Napoleoni”.