Kurti: Qeveria ka respektuar gjithmonë aktgjykimet e Kushtetueses, nuk është mirë të kemi vonesa

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e tij gjithmonë ka respektuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se këtë e ka bërë edhe si udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Kurti tha se pyetjet e vazhdueshme nëse do ta respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e bëjnë të mendoj se mos ky aktgjykim do të jetë pazakonshëm apo i padrejtë.

“Nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të cilin Qeveria e Kosovës me mua si kryeministër nuk e ka respektuar. Dhe nuk ka asnjë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, të cilin edhe unë si kryetar i LVV-së, nuk e kam respektuar. Por, kur më pyesni sërish a do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese kjo më bën të mendoj që do të jetë i pazakonshëm, i padrejtë, i padurueshëm, saqë ndoshta duhet ta konsiderojmë se çfarë duhet të bëjmë”, tha Kurti, përcjell Telegrafi.

Kurti kritikoi edhe mënyrën e publikimit të aktgjykimit të fundit, duke thënë se më 8 gusht u bë publik vetëm njoftimi, ndërsa vendimi i plotë ende nuk është dorëzuar.

“Edhe një herë po e ritheksoj që ne gjithmonë i kemi respektuar aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, por kësaj radhe për dallim nga 26 qershori e kemi vetëm njoftimin e Gjykatës Kushtetuese dhe e kemi aktgjykimin e plotë, i cili po vonohet, e të cilin duhet ta lexojmë në tërësinë e tij. Më 26 qershor e kemi pasur në të njëjtën ditë njoftimin edhe aktgjykimin. Tash më 8 gusht e patëm njoftimin, por ja që ende nuk e kemi aktgjykimin. Kur ta lexojmë atë do ta themi vlerësimin tonë meritor. Por nuk është mirë që kemi këtë vonesë, por në bazë të njoftimit, për bindjen time ka mospërputhje mes këtij aktgjykimi në versionin e plotë që jemi duke e pritur dhe atij të 26 qershorit të po kësaj përbërje të Gjykatës Kushtetuese”, tha ndër të tjera Kurti.

Ndryshe, njoftimi i aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese është bërë më 8 gusht, por ende nuk është bërë publikimi i plotë i aktgjykimit në Gazetën Zyrtare çka po vonon thirrjen e mbledhjes për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi