Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se përpjekjet e Serbisë për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës mbeten një kërcënim serioz.
Këtë deklaratë e bëri në edicionin e 8-të të Konferencës së Ambasadorëve, që po mbahet në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
“Përpjekjet e Serbisë për të minuar sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit vazhdojnë të paraqesin kërcënim ndaj sigurisë tonë kombëtare. Lufta propagandistike e Serbisë, në bashkëpunim të ngushtë me Federatën Ruse po egërsohet nga dita në ditë, duke shpërndarë në mënyrë sistematike në çdo skaj të botës mesazhe të rrejshme. Duke marrë parasysh këtë veprimtari, juaja si përfaqësues të Kosovës është jetike për mbrojtje”, u shpreh ai.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar nga përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës që të punojnë në harmoni të plotë dhe në koordinim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për të shtyrë përpara interesat e vendit në arenën ndërkombëtare.
“Kjo shpërndarje e gjerë e përfaqësive përbën njëkohësisht edhe avantazh edhe sfidë. Avantazhi është se i mundëson shtetit tonë që të ketë 53 zëra të fuqishëm nëpër botë për të shtyrë përpara interesat më të rëndësishme të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Sfida kryesore është se si të gjejmë një mënyrë që këta zëra tuaj të mos funksionojnë të pa ndërlidhur me njëri-tjetrin, por në harmoni të plotë si një kor i vetëm me ministrin këtu në Prishtinë në rolin e dirigjentit. Në këtë projekt të unifikuar duhet të bashkëpunoni sa më ngushtë jo vetëm me ministrin por edhe me njëri-tjetrin. Urat e bashkëpunimit duhet të ndërtohen vazhdimisht gjatë gjithë vitit”, tha Kurti.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se takimi me përfaqësuesit diplomatikë ka për qëllim përmbledhjen e punës së bërë, vlerësimin e rezultateve dhe përcaktimin e hapave për vitin e ardhshëm.
“Ky është takimi ku përmbledhim punën e bërë, vlerësojmë rezultatet dhe përcaktojmë hapat për vitin që vjen. MPJD ka kaluar një reformë thelbësore duke vendosur standarde të reja të transparencës dhe menaxhimit të përgjegjshëm financiar. Sot çdo euro e buxhetit përdoret me plane të qarta të arsyetuara dhe me kontroll të plotë. Kemi arritur të ulim shpenzimet e panevojshme. Gjatë këtij viti kemi arritur edhe dy njohje të reja të shtetësisë së Kosovës duke forcuar pozicionin ndërkombëtar. Kemi siguruar anëtarësimin në një numër të konsiderueshëm të organizatave ndërkombëtare duke zgjeruar hapësirën ku Kosova është e pranishme dhe aktive”, tha Gërvalla.