Kurti për ish-krerët e UÇK’së: Nuk ka as arsye të mbahen në paraburgim, kështu kam menduar që nga dita e parë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se nuk ka as arsye ligjore e as morale që ish-krerët e UÇK-së të mbahen në paraburgim në Hagë. Kështu ka shkruar ai teksa kujton pesë vjetorin kur Rexhep Selimi u dërgua në Hagë, e ku shkrimin e nis me kujtimin se si ai kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit para se të nisej për në Hagë.

Ai rithekson kërkesën e tij për lirimin e ish-krererëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Menjëherë pasi që kishte vënë lule të freskëta te varri i Astrit Deharit, më 5 nëntor 2020, Rexhep Selimin e dërguan në burgun e Hagës ku ende po e mbajnë.  Përveç tij, edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po ndodhen në paraburgim tash e pesë vjet. Pesë vite pritje, pesë vite pas hekurave ndërkohë që arsyeja e njëjtë përsëritet në çdo vendim për refuzimin e lirimit: “rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët”. Por Prokuroria e ka përfunduar rastin e saj. Dëshmitarë më nuk ka. Nuk ka as arsye ligjore, as morale që të mbahen edhe më tej në paraburgim”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se këtë mendim e kishte qysh në ditën e parë, e që ka punuar në heshtje e pa zhurmë. Kurti ka publikuar edhe letrën nëpërmjet të cilës kishte kërkuar që ata të kthehen në shtëpi dhe ishte shprehur i gatshëm për të ofruar garanci shtetërore për lirimin e tyre

“Kështu kam menduar që nga dita e parë. Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet. Si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e si deputet prej vitit 2014 bashkë me Rexhën i patëm paraqitur të gjitha argumentet e qëndrimet për këtë Gjykatë që është sot duke gjykuar.  E si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje. Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre”, shkruan Kurti.

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi