Kurti e cilëson të vonuar vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave

Kurti e cilëson të vonuar vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur vendimin e liberalizimit të vizave nga ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së që i kanë dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Përmes një postimi në twitter, Kurti e cilësoi vendimin të vonuar, ndërsa falenderoi Presidencën çeke për këtë proces.

“E mirëpres vendimin e sotëm të rëndësishëm dhe të vonuar nga COREPER për liberalizimin e vizave për Kosovën, një mirënjohje e përkushtimit tonë për sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe menaxhimin e migracionit. Mirënjohës ndaj Presidencës çeke dhe mezi pres finalizimin e këtij procesi”, ka shkruar Kurti në Twitter.

 

Ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky, sot ka bërë të ditur se liberalizimi i vizave do të nisë në datën e nisjes së sistemit ETIAS, dhe në asnjë rast më larg se 1 janari 2024.

“Sot kemi bërë një hap të rëndësishëm drejt udhëtimit pa viza për Kosovën dhe tani shpresojmë që të arrijmë një marrëveshje me Parlamentin Evropian shpejt për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është bërë i mundur nga përpjekjet e Kosovës për të forcuar kontrollet e saj kufitare, menaxhimin e migracionit dhe sigurinë, dhe ne besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm do të forcohet në të ardhmen”, ka thënë ai.

Çfarë është sistemi ETIAS që do të përcjellë procesin e liberalizimit të vizave?

ETIAS do të thotë Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit.

Është sistem tërësisht elektronik, i cili lejon dhe mban gjurmët e vizitorëve nga vendet që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në zonën Shengen.

Në njëfarë mënyre, i ngjan Sistemit Elektronik të ShBA për Autorizimin e Udhëtimit (ESTA), i cili shërben për një qëllim të ngjashëm.

Procedurat ligjore për kalimin e ETIAS kanë nisur në vitin 2016 dhe sistemi pritet të jetë plotësisht funksional në maj 2023.

ETIAS do t’i nënshtrohet një kontrolli të detajuar sigurie të secilit aplikant për të përcaktuar nëse ata mund të lejohen të hyjnë në ndonjë vend të Zonës Shengen.

Ndërsa qytetarët e vendeve, që nuk kanë nevojë për vizë për qëllime udhëtimi deri në 90 ditë në BE, nuk kanë nevojë të kalojnë një proces të gjatë aplikimi për vizë, ETIAS do të sigurohet që këta njerëz të mos përbëjnë një kërcënim sigurie. Ky sistem i autorizimit të udhëtimit do të mbledhë, monitorojë dhe përditësojë informacionin e nevojshëm në lidhje me vizitorët për të përcaktuar nëse është e sigurt për ta të hyjnë në vendet e Shengen-it.

ETIAS, përveç përdorimit për qëllime biznesi dhe turistike, do t’i lejojë njerëzit të vizitojnë vendet e Shengen-it për arsye mjekësore dhe tranziti. Gjithashtu, do të jetë i detyrueshëm për të gjitha vendet që janë pa viza Shengen.

“Arsyeja kryesore për miratimin e autorizimit ETIAS është siguria. Me rritjen e rrezikut të udhëtarëve në mbarë botën, BE-ja dëshiron të sigurojë udhëtime të sigurta në vendet e saj. ETIAS do të ulë ndjeshëm shqetësimet e sigurisë nëpërmjet sistemeve të tij të mbledhjes së informacionit dhe të dhënave. Çfarë do të thotë kjo, është se ETIAS do të zbulojë nëse një person është një kërcënim në ndonjë mënyrë për sigurinë e vendeve të Shengen-it. Kjo do të bëjë që personit t’i mohohet hyrja dhe të shmanget kërcënimi për të qenë i pranishëm brenda kufijve të BE-së. Në thelb do të merret me një problem para se të jetë aty”, shkruan në njoftim.

Sipas Agjencisë Evropiane të Kufirit dhe Rojës Bregdetare (Frontex), rreth 1,4 miliardë udhëtarë nga vendet që lëvizin lirshëm në Shengen do të preken nga ky rregull i ri.

Procedura është e thjeshtë dhe e shpejtë dhe mund të bëhet përmes faqes së internetit.

Formulari kërkon të dhënat e udhëtarit, si dhe informacion mbi gjendjen e tij shëndetësore, udhëtimet në vendet e luftës dhe precedentët kriminale. Aplikimi për autorizimin do të kushtojë 7 euro për person. /Reporteri.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi
Reklamë: ABE Kosova