Qytetarët e Sllovenisë të dielën dalin në referendum: Do të votojnë për heqjen e së drejtës së votës për të huajt në zgjedhjet lokale

Qytetarët e Sllovenisë të dielën dalin në referendum: Do të votojnë për heqjen e së drejtës së votës për të huajt në zgjedhjet lokale

Qytetarët e Sllovenisë të dielën dalin në referendum: Do të votojnë për heqjen e së drejtës së votës për të huajt në zgjedhjet lokale

Qytetarët e Sllovenisë do t’u drejtohen kutive të votimit më 11 tetor për t’u shprehur në katër referendume, njëri prej të cilëve prek drejtpërdrejt shtetasit e vendeve të treta me qëndrim të përhershëm.

Në qendër të vëmendjes së opinionit publik është votimi për heqjen e së drejtës së votës në zgjedhjet lokale për të huajt, ndër të cilët më të shumtë janë shtetasit nga vendet e ish-Jugosllavisë.

Shtetasit e huaj nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, të cilët kanë të regjistruar qëndrim të përhershëm në Slloveni prej të paktën pesë vjetësh, e gëzonin të drejtën e votës në zgjedhjet lokale që nga viti 2002.

Megjithatë, kjo praktikë shumëvjeçare u ndërpre në qershor të këtij viti, kur shumica parlamentare ndryshoi ligjin dhe ua hoqi zyrtarisht këtë të drejtë.

Ky vendim i diskutueshëm shkaktoi reagime të ashpra dhe ngriti një sërë çështjesh politike e juridike. Pasuan dy kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit të ri, si dhe dy nisma për mbajtjen e referendumit.

Nga gjithsej katër referendumet që do të mbahen më 11 tetor, njëri është detyrues, ndërsa tre të tjerët, përfshirë atë për të drejtat e të huajve, kanë karakter konsultativ.

Në prag të votimit, në Slloveni u organizua një debat publik, në të cilin morën pjesë vetëm organizatorët e regjistruar të fushatës.

Opozita konsideron se rritja e numrit të shtetasve të huaj me të drejtë vote ka zvogëluar ndikimin e drejtpërdrejtë të popullsisë vendase në zgjedhjet lokale dhe se të drejtat politike duhet të fitohen vetëm përmes natyralizimit dhe marrjes së shtetësisë.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e koalicionit qeverisës dhe të organizatave joqeveritare, si Amnesty International, paralajmërojnë se bëhet fjalë për përjashtim politik dhe margjinalizim të punëtorëve që prej vitesh jetojnë, punojnë dhe paguajnë taksa në komunitetet lokale të Sllovenisë.

Qëndrimi përfundimtar i votuesve dhe nëse mijëra shtetas me qëndrim të përhershëm do të mbeten përgjithmonë pa mundësinë për të zgjedhur pushtetin lokal në vendet ku jetojnë, do të bëhen të ditura pas referendumit.

Kategoritë
LajmeRajoni
Reklamë: ABE Kosova