Kryeministri Albin Kurti i ka bërë një ofertë të re PDK-së për zgjidhjen e ngërçit politik, duke propozuar që nëse grupi parlamentar i PDK-së zotohet se do të marrë pjesë në votimin për presidentin, atëherë shumica t’ia votojë menjëherë leximin e dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka thënë se PDK-ja e ka refuzuar më herët ofertën për mbështetjen e kandidatit për president, Bekim Sejdiu, ndërsa ka përmendur Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin si emra që, sipas tij, mbeten aktualë nëse ka interesim nga opozita.
“Partia Demokratike e Kosovës e refuzoi ofertën tonë që ta mbështesim Prof. Bekim Sedijun, e unë besoj që në rast të përgjigjes së tyre pozitive Prof. Bekimi do të rikthehej. Përveç këtij, natyrisht, i kemi edhe dy emra të cilët në këtë vit i kemi prezantuar si kandidatë për president, Glauk Konjufca dhe Feride Rushiti, e të cilët po ashtu janë aktualë nëse ka interesim nga opozita. Të nderuar gazetarë, propozimi ynë më i ri është ky: meqë nuk po mund të arrij ta takoj, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Homza le të del publikisht sonte dhe të zotohet që i gjithë grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, merr pjesë me votë në zgjedhjen për president, dhe ne pas zotimit të tyre menjëherë po ua votojmë edhe leximin e dytë nëse ata mendojnë që nuk përbën problem mosrespektimi i afatit 72-orësh ndërmjet dy leximeve. Pra, ne ua votojmë projektligjin për Gjykatë Speciale, paraprakisht, e mandej sonte menjëherë votimi për president Glaukun ose Feriden”, tha ai.

