Kurti: Dua siguri për Kosovën dhe sanksione për Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se pret nga Brukseli të emërtojë dhe dënojë çdo shkelje që Serbia ka bërë, duke u bazuar në traktatin që Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord në shkurt të këtij viti në mënyrë që të kthehet rruga e zbatimit të njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kurti gjatë një interviste për Sky News, është pyetur për situatën pas sulmit të 24 shtatorit nga terroristët serbë në veri të vendit, si dhe dialogun në Bruksel, ku ka thënë se nuk pas asaj që ndodhi në veri, asgjë nuk është si më parë.

“Ne nuk mund të kthehemi si zakonisht. Pas 24 shtatorit asgjë nuk është si më parë, dhe në këtë situatë ka kontribuar edhe toleranca ndaj shkeljeve të traktatit bazë që kemi rënë dakord me Serbinë në shkurt të këtij viti. Brukseli është një arbitër, i cili duhet të reagojë sa herë ka një shkelje, shkelje të marrëveshjes. Neni 3 i traktatit bazë thotë se palët duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me mjete paqësore dhe të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i dhunës. Pres që Brukseli të emërtojë dhe dënojë çdo shkelje të traktatit tonë bazë, në këtë mënyrë ne të mund të kthehemi në rrugën e zbatimit të njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të mundësojmë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë demokratike evropiane”, ka thënë ai.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi