Sophie Chandauka, kryetare e organizatës bamirëse Sentebale, tha se Duka i Sussex-it (princi Harry) ka shkelur të drejtat e saj kur dha publikisht dorëheqjen si mbështetës i organizatës, së bashku me bashkëthemeluesin, princin Seeiso të Lesotos, dhe bordin drejtues, raporton CNN.
“Në një moment të së martës, princi Harry aprovoi publikimin e një lajmi të dëmshëm për publikun, pa më njoftuar mua dhe as drejtorin tim ekzekutiv. A mund ta imagjinoni çfarë përfaqësonte ky sulm për mua dhe për 540 individët në organizatën Sentebale dhe për familjet e tyre? Ky është një shembull i ngacmimit dhe keqtrajtimit në përmasa të mëdha”, shtoi ajo.
Sipas një burimi të afërt me këshilltarët dhe përkrahësit e organizatës bamirëse, ata e kishin parashikuar plotësisht këtë veprim si një truk publicitar dhe kishin marrë vendimin e përbashkët për të dhënë dorëheqje.
“Ata qëndrojnë të vendosur në dorëheqjen e tyre, për të mirën e bamirësisë, dhe presin me padurim drejtësinë e së vërtetës,” tha burimi për CNN.
I njëjti burim kundërshtoi pretendimin e Chandaukës se shtypi ishte njoftuar për largimet para vetë organizatës bamirëse, duke thënë se princi Harry dhe princi Seeiso i kishin dërguar një letër dorëheqjeje kryetares dhe këshilltarëve më 10 mars.
Në një tjetër intervistë të publikuar të shtunën, Chandauka tha se princi Harry dhe princi Seeiso duan që organizata të dështojë, për t’u paraqitur më pas si shpëtimtarë.
Megjithëse detajet e konfliktit nuk janë të qarta, Chandauka i tha Financial Times-it se kishte mosmarrëveshje midis stafit të organizatës në Mbretërinë e Bashkuar dhe atij në Lesoto dhe Botsvana.
Kjo, sipas saj, u shkaktua nga përpjekjet e saj për të transformuar organizatën dhe për të zhvendosur procesin vendimmarrës te liderët në Afrikën Jugore.
Në një deklaratë të përbashkët me bashkëthemeluesin e saj, princi Harry tha të mërkurën se ata “me zemër të rënduar” dhanë dorëheqje, por se ato mund të mos jenë përfundimtare.
Në një deklaratë të mëparshme gjatë javës, Chandauka e akuzoi anëtarin e familjes mbretërore se po e luan rolin e viktimës.
“Gjithçka që bëj në Sentebale është në kërkim të integritetit të organizatës, misionit të saj dhe të rinjve që i shërbejmë,” tha ajo në një deklaratë të transmetuar nga agjencia britanike e lajmeve PA Media.