Sot, kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, zhvilloi një takim koordinues me përfaqësues të institucioneve të ndryshme, për të diskutuar rreth përgatitjeve, bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Në këtë takim, përveç kryesuesit të KQZ-së, Radoniqi, morën pjesë Besim Kusari nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), Tefik Mahmuti nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Arbnesh Ajvazi nga Policia e Kosovës (PK), Besnik Berisha nga Këshilli i Pavarur i Mediave (KPM) dhe Artan Dreshaj nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit (AShI).
Gjatw kwtij takimi, kryesuesi Radoniqi theksoi se bashkëpunimi ndërinstitucional është i domosdoshëm për të siguruar që procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Përfaqësuesit e institucioneve prezantuan planet e tyre për angazhimin gjatë ditës së zgjedhjeve, në kuadër të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, me qëllim të garantimit të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.