Kryeministrja e Danimarkës lavdëroi banorët e Grenlandës që iu kundërvunë Trumpit

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, lavdëroi grenlandezët që i rezistuan me vendosmëri përpjekjeve të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të marrë nën kontroll ishullin arktik, duke paralajmëruar se interesimi i tij për Grenlandën nuk ka përfunduar.

Kryeministrja Frederiksen publikoi një mesazh të mërkurën në rrjetet sociale, vetëm disa ditë para vizitës së paralajmëruar të nënpresidentit amerikan JD Vance dhe zyrtarëve të tjerë në bazën ushtarake amerikane në veri të largët të Grenlandës.

“Vëmendja është e madhe, dhe presioni po ashtu. Por në kohë të tilla, ju tregoni prej nga jeni. Nuk u frikësuat. Qëndruat për atë që jeni – dhe treguat për çfarë qëndroni. Për këtë kam respektin tim më të thellë”, tha ajo.

Grenlanda, një territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës, është shtëpi për rreth 56.000 njerëz që janë shtetas të Danimarkës. Komentet e përsëritura dhe shpesh agresive të Trumpit për marrjen e ishullit – edhe me forcë nëse është e nevojshme – shkaktuan alarm në Kopenhagë, një aleat i kahershëm i SHBA-së.

Frederiksen paralajmëroi se qëllimet e Trumpit nuk kanë ndryshuar dhe se ai mbetet i palëkundur. Ajo tha se kjo ishte e qartë nga “ajo që ai ka thënë publikisht disa herë dhe e përsëriti sot”, duke iu referuar një interviste radiofonike të së mërkurës ku Trump deklaroi se SHBA “do ta ketë” Grenlandën.

Ajo shtoi se Uashingtoni do të vazhdojë të “veprojë sipas dëshirave të veta”, pa marrë parasysh kundërshtimet e Danimarkës.

“Ata [SHBA] e dinë që Grenlanda nuk është në shitje. Ata e dinë që Grenlanda nuk dëshiron të jetë pjesë e Shteteve të Bashkuara. Kjo u është komunikuar në mënyrë të qartë, drejtpërdrejt dhe publikisht”, tha ajo.

Vizita e ardhshme e Vance në bazën hapësinore Pituffik zëvendësonte planin fillestar që përfshinte një ndalesë në kryeqytetin Nuuk dhe pjesëmarrje në një garë me slita qensh me bashkëshorten e Vance, Usha.

Kjo vizitë u anulua pas reagimeve nga zyrtarët danezë dhe grenlandezë, të cilët kritikuan kohën e zgjedhur për vizitë, që përkoi me zgjedhjet në Grenlandë dhe negociatat për formimin e një koalicioni.

Grenlandezët kishin planifikuar edhe protesta si përgjigje ndaj delegacionit amerikan, duke u shtuar demonstratave të fundit kundër ofertës së Trumpit për marrjen e territorit. Frederiksen e përshkroi vizitën e anuluar si “presion të papranueshëm”.

Megjithatë, kryeministrja pranoi se nënpresidenti amerikan, i cili muajin e kaluar e kritikoi Danimarkën se “nuk po bën punën e saj” sa i përket sigurisë në Arktik, kishte të drejtë.

“Kur nënpresidenti Vance, për shembull, thotë se as Shtetet e Bashkuara, as Danimarka nuk kanë bërë mjaftueshëm për sigurinë rreth Grenlandës, ai nuk ka gabim,” tha ajo dhe shtoi: “prandaj kemi ndryshuar politikën tonë të mbrojtjes”.

Më herët këtë vit, Danimarka publikoi plane për të investuar miliarda euro në forcimin e mbrojtjes së Arktikut.

 

Kategoritë
BotaLajme