Kryeministri Kurti priti në takim Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë

Kurti dhe Davenport ndër të tjerash, diskutuan për procesin e zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim, shefin e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, Michael Davenport, me të cilin biseduan për bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe zyrës së OSBE-së në Kosovë, transmeton Anadolu.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti dhe Davenport ndër të tjerash, diskutuan për procesin e zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të Kosovës, me ç’rast Kryeministri shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e OSBE-së në adresimin e legjislacionit sekondar në lidhje me nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale.

“Në takim, u bisedua edhe për integrimin e komuniteteve jo-shumicë dhe pengesat me të cilat ballafaqohen”, bëhet e ditur në komunikatë.

Në lidhje me këtë, Kryeministri Kurti shprehu shqetësimin e tij në lidhje më kërcënimet dhe frikësimet nga Beogradi dhe strukturat ilegale ndaj policëve të rinj nga komuniteti serb të angazhuar së fundmi në Policinë e Kosovës.

Gjatë muajit gusht të këtij viti shtatë zyrtarë policorë nga radhët e komunitetit serb, të cilët u emëruan policë gjatë vitit 2023, dhanë dorëheqje nga institucioni i Policisë së Kosovës. Autoritetet kosovare fajësuan se një gjë e tillë ndodhi për shkak të presionit të Beogradit mbi zyrtarët policorë nga komuniteti serb

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi