“Arsimi gjatë gjithë jetës: qasje gjithëpërfshirëse nga fëmijëria e hershme deri te arsimi profesional”, ishte tema e konferencës Shkencore Ndërkombëtare që u mbajtë këtë të enjte në Prishtinë.
Aty u folë edhe për mësimin tërë ditor, e ku u kritikua nga ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj.
“Kurrë në Prishtinë nuk e kisha bërë mësimin tërë ditor pa u kriju kushtet, nuk ka hapësirë dhe nuk bënë një mësues me i mbajtë shtatë orë dhe një mësues me punu me pesë orë. Nuk shkon ashtu”, tha Rexhaj, raporton Ekonomia Online.
Ai u pyet nga doktoresha e shkencave juridike, Albana Jeminaj se pse kjo reformë në arsim nuk u bë gjatë mandatit sa ai ishte pjesë e qeverisjes.
”Ju në vitin 2020-2021 keni qenë zëvendësministër, atëherë gjatë ligjëratës tuaj ju dëgjova dhe ju përmendet reformat në arsim dhe udhëheqjen në arsim. Pyetja ime për ju është: pse ju në vitin 2020-2021 keni qenë zëvendës ministër dhe nuk i keni bërë këto reforma?”, pyeti Jeminaj.
Ish-zëvendësministri theksoi për rolin e pozitës në atë periudhë.
“Reformat arsimore cikli dhe reforma është pesë deri në shtatë vjet, ka teori të ndryshme por këtu diku bien. Unë kam qenë zëvendësministër dy herë gjashtë muaj. Atë kohë ka qenë covidi. Unë kam qenë edhe katër vite më herët, më i fortë kam qenë si drejtor i arsimit se sa si zëvendësministër. Drejtori i arsimit ka qenë më vendimarrës. Në atë kohë kur kam qenë shumë më ndikues dhe vendimi është marrë para se të shkoj unë në Ministri, ne e kemi zbatu klasën e nëntë. Këtu ka shumë viktima të zbatimit të klasës së nëntë në Kosovë”, tha ai.