Kosovë, TIKA ndan mjete për fermerët në Komunën e Podujevës

Ambasadori Angılı tha se fermerët nga Podujeva me mjetet e pranuara mund të arrijnë qëllimin e tyre për të rritur eksportet e produkteve bujqësore në Türkiye.

Në kuadër të projektit “Mbështetja e Fermerëve të Komunës së Podujevës” të implementuar në bashkëpunim mes Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Komunës së Podujevës është realizuar ceremonia e shpërndarjes së makinerive bujqësore për fermerët e Komunës së Podujevës, raporton Anadolu.

Në ceremoninë e shpërndarjes morën pjesë Ambasadori i Republikës së Türkiye-s në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe shefja e Zyrës së TIKA-s në Kosovë, Fulya Aslan.

50 fermerë nga Komuna e Podujevës erdhën me traktorë në afërsi të Palestrës së Sporteve “Hakif Zejnullahu” për të pranuar veç e veç 50 freza të dheut, të cilat shërbejnë për lëvrimin e arave.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se për interes të fermerëve komuna do të bëjë edhe investime tjera qoftë përmes subvencionimeve të drejtpërdrejta nga komuna qoftë nga donatorë të ndryshëm sikurse TIKA.

“Shpresojmë që ky mekanizëm do t’iu ndihmojë që t’i zgjedhni ose t’i bëni më mirë dhe më lehtë angazhimet e përditshme tuajat”, theksoi Bulliqi.

Ambasadori Angılı në fjalën e tij para të pranishmëve në ceremoni, tha se fermerët nga Podujeva me mjetet e pranuara mund të arrijnë qëllimin e tyre për të rritur eksportet e produkteve bujqësore në Türkiye.

Angılı tha se projekti i realizuar me financim të përbashkët është një shembull për përmbushjen e nevojave të fermerëve.

“Meqenëse e shohim Kosovën si vëllanë tonë, ne ndjejmë dhe gëzohemi në zemrat tona për një Kosovë të fortë, të pavarur dhe që qëndron në këmbët e veta sikurse për Türkiye-n. Prandaj, shpresoj se ky projekt do të kontribuojë në rritjen e prodhimit tuaj dhe zhvillimin e ekonomisë së Kosovës”, tha ai.

Ky projekt financohet me rreth 55 për qind nga TIKA, 30 për qind nga Komuna e Podujevës dhe pjesa tjetër prej 15 për qind bashkëfinancohet nga fermerët.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi