Kosovë, mbi 80 mijë votues shfrytëzuan të drejtën e votës deri në ora 11:00

Kreu i KQZ-së tha se bazuar në informacionet nga 18 komunat ku po zhvillohet raundi i dytë i garës zgjedhore, procesi i votimit po zhvillohet normalisht.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se deri në orën 11:00 kanë votuar 6,13 për qind apo 80.659 votues në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë

Radoniqi në një konferencë për media tha se bazuar në informacionet nga 18 komunat ku po zhvillohet raundi i dytë i garës zgjedhore, procesi i votimit po zhvillohet normalisht.

“Nga të dhënat preliminare nga 95 për qind e vendvotimeve numri i qytetarëve me të drejtë vote deri në orën 11 është 80 mijë 659 votues apo 6,13 për qind e votuesve. Deri në të njëjtën kohë në raundin e parë kishin votuar 7,58 për qind apo 99.765 votues”, ka thënë Radoniqi.

Numri i votuesve brenda Kosovës në këto komuna është mbi 1.3 milionë, ndërsa deri më 8 nëntor mbi 29 mijë qytetarë kanë mundur ta shfrytëzojnë të drejtën e votës nga jashtë vendit.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi