Kreu i KQZ-së tha se procesi i votimit deri më tani është zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe pa pengesa.
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të Kosovës, Kreshnik Radoniqi, ka njoftuar se deri në orën 15:00 rreth 20,78 për qind apo 273,666 votues kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, raporton Anadolu.
“Duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga rreth 95 për qind e Vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 273 mijë e 666 votues apo 20,78 për qind nga 1 milion e 316 mijë e 672 votues të regjistruar. Deri në të njëjtën kohë, në raundin e parë, në këto 18 komuna, kishin votuar 25,33 për qind apo 333 mijë e 489 votues nga 1 milion e 316 mijë e 129 votues”, tha Radoniqi.
Ai tha se po ashtu KQZ po përditëson të dhënat e detajuara për pjesëmarrjen e votuesve në çdo komunë, në faqen e saj zyrtare elektronike.
Sipas të dhënave nga terreni, kreu i KQZ-së tha se procesi i votimit deri më tani është zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe pa pengesa.
















