“Nuk pres që partitë të pajtohen për gjithçka. Pres të jenë të gatshme të flasin për atë që është e domosdoshme për funksionimin e shtetit”, tha Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje partive politike parlamentare që të fillojnë diskutimet për gjetjen e një emri për presidentin konsensual, raporton Anadolu.
Haxhiu pas takimit me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe me përfaqësues të partive politike nga radhët e komuniteteve pakicë në vend, tha se partitë politike duhet të nisin të flasin me emra për kandidatin për president të vendit.
Haxhiu shprehu keqardhje që partitë tjera politike, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), nuk iu përgjigjen ftesës së saj për takim.
“Kemi dëgjuar qëndrimet e partive të pranishme. Të gjitha ishin që duhet të kontribuojmë maksimalisht për çështjen e marrëveshjes së presidentit dhe patjetër të shmangen zgjedhjet e parakohshme. Nuk pres që partitë të pajtohen për gjithçka. Pres të jenë të gatshme të flasin për atë që është e domosdoshme për funksionimin e shtetit. Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi asnjë garanci se një palë zgjedhje të reja do të na bëjnë që të merremi vesh nesër”, ka thënë Haxhiu në konferencë për shtyp pas takimit.
Ajo tutje ka thënë se Vetëvendosje i ka votat për kryeparlamentar dhe Qeveri, por sipas saj prioritet është presidenti për të shmangur zgjedhjet e reja.
Haxhiu shtoi se është e bindur që qytetarët duan që partitë të ulen e jo të refuzojnë takime e të paraqesin kërkesa në shpërputhje me fuqinë politike të tyre apo kundërshtim me vullnetin e popullit.
PDK, LDK dhe AAK e refuzuan takimin konsultativ te Ushtruesja e Detyrës së Presidentes.
PDK e AAK thanë se ftesa e Haxhiut ka qenë tentativë manipulimi për afatet, ndërkaq, kreu i AAK-së, Ardian Gjini, konsideroi se Haxhiu nuk është presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk mund të luajë rolin unifikues të spektrit politik.
Ditë më parë, LDK-ja hoqi dorë nga të gjitha kërkesat për të mbështetur formimin e institucioneve të reja, por votën për presidentin e ri e kushtëzoi me “një kandidat konsensual”.
Lëvizja Vetëendosje si partia fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit 2026 mund t’i formojë e vetme Kuvendin dhe Qeverinë, por jo edhe të zgjedhë presidentin e ri, për shkak se nuk ka vota të mjaftueshme apo 2/3-tat e votave të nevojshme për këtë proces.

















