“Sot, në vijim të aktiviteteve të kërkimit dhe gërmimeve në këtë lokacion, janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’u nënshtrohen procedurave të mëtejshme të ekzaminimit mjekoligjor dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së”, njoftuan autoritetet.
Autoritetet në Kosovë kanë gjetur mbetje mortore të dyshuara se i përkasin viktimave të luftës gjatë gërmimeve në fshatin turistik të Brodit, në Komunën e Shtërpcës, të cilat do t’u nënshtrohen procedurave për ekzaminim mjekoligjor dhe identifikim përmes analizës së ADN-së.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se më 6 nëntor të vitit 2026, pas sigurimit të urdhrit përkatës gjyqësor, kanë filluar aktivitetet e kërkimit dhe gërmimet vlerësuese në një lokacion të dyshuar në fshatin Brod dhe gjatë aktivitetit të parë nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite.
“Sot, më 12 nëntor 2026, në vijim të aktiviteteve të kërkimit dhe gërmimeve në këtë lokacion, janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’u nënshtrohen procedurave të mëtejshme të ekzaminimit mjekoligjor dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së”, njoftoi komisioni qeveritar.
Më tej, bëhet e ditur se aktivitetet janë realizuar në koordinim ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur, me përkrahjen e Prokurorisë – Departamenti për Krime Lufte, bazuar në informacionet e siguruara për këtë lokacion.
Komisioni qeveritar tha se trajtimi i këtij lokacioni është rezultat edhe i bashkëpunimit rajonal dhe përpjekjeve të përbashkëta për adresimin e rasteve me interes të përbashkët.
Sipas tyre, këtu përfshihen komunikimet me Drejtorinë e Kroacisë për Personat e Zhdukur gjatë Luftës Atdhetare, si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me familjet e personave të zhdukur me dhunë, Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe qytetarët që kanë kontribuar me informacione të rëndësishme për identifikimin dhe trajtimin e këtij lokacioni.
Autoritet kosovare arritën që këtë vit të bëjnë një nga gjetjet më të mëdha ndër vite të dy lokacioneve me mbetje mortore, ku dyshohej se ishin varrosur “Grupi i Intelektualëve”, në Komunën e Zubin Potokut, gjë e cila më vonë u konfirmua pas analizës së ADN-ve të disa personave të këtij grupi.
Në Kosovë vazhdon të mos dihet ende fati i mbi 1,500 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së vitit 1998-99.