“Ishte vërtetë tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, ka thënë Kos.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, është shprehur e befasuar me faktin se Snezana Paunoviq vazhdon të mbajë funksionin e ministres në Qeverinë e Serbisë edhe pas deklaratave të saj lidhur me spastrimin etnik në Kosovë.
“Ishte shokuese të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtetë tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, ka thënë Kos.
Deklarata e ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, se do ta spastronte etnikisht Kosovën nëse do të ishte në krye të shtetit në vitin 1998, nxiti reagime të shumta në institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare.
Komisionarja Kos, ishte ndër zërat më të fuqishëm në reagimet ndaj kësaj deklarate duke thënë se mbështetja e ulët për integrimin evropian në Serbi është edhe pasojë e mesazheve që dërgojnë politikanët si dhe e mënyrës se si raportojnë mediat.
Sipas saj, është e papranueshme që një vend kandidat të përdorë retorikë antievropiane.
Së fundmi reagoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se deklarata e ministres Snezana Paunoviq nuk pasqyron vullnetin dhe politikën e tij e as të Qeverisë serbe, duke shtuar se deklarata ishte “e pamatur”.


















