Kontejnerë të stërmbushur me mbeturina në kryeqytet, ankohen qytetarët – Bëjnë thirrje për shqiptim të gjobave

Qytetarët kritikojnë Komunën e Prishtinës dhe kompaninë “Pastrimi” se nuk janë duke menaxhuar mirë largimin e mbeturinave, pasi kontejnerë të stërmbushur mund të shihen në shumicën e lagjeve të kryeqytetit.

Qytetarë të intervistuar nga Ekonomia Online thanë se edhe një pjesë e qytetarëve janë të papërgjegjshëm, dhe kërkojnë të nisë shqiptimi i gjobave “sikur në çdo qytet të zhvilluar të botës”.

Teuta Danuzaj tha se përkundër rritjes së numrit të banorëve, numri i kontejnerëve nëpër lagje ka mbetur i njëjtë.

Sipas saj, as orari i mbledhjes së mbeturinave nga kompania “Pastrimi” nuk është i mjaftueshëm. Ajo thotë se duhet të shqiptohen edhe gjoba ndaj qytetarëve të pandërgjegjshëm.

“Faji është i dyanshëm, fillimisht Komuna duhet me marrë parasysh me pas orare më të shpeshta, duke marrë parasyj numrin e madh të banorëve që e kemi në Prishtinë. Lagjet po rriten, numri i banorëve po rritet, ndërsa pikat e mbeturinave janë shumë të pakta po edhe siç po e sheh jemi disa  banesa dhe janë vetëm 3 kontejnerë do të thotë është numri shumë i vogël i kontejnerëve si dhe orari i mbledhjes së këtyre mbeturinave prej kompanisë së Pastrimit nuk është i mjaftueshëm në anën tjetër mendoj qe edhe qytetarët janë të papërgjeshëm”.

“Thjesht mendoj që kemi nevojë për disa rregullore qe parashohin gjoba për qytetarët e papërgjeshëm mendoj qe është kjo  shume e nevojshme  mirëpo nevojitet një qasje e dyanshme për me arritur pastërtinë brenda kryeqytetit. Mendoj që gjobat kishin me qenë shume efikase”.

Fatmir Murati, tha se që qytetarët të bëhen më të përgjegjshëm duhet të ketë dënime të larta.

“Shteti i ka fajet. Duhet me pasë ligj që e dënon ata. Unë jam n’zor për veti e pastroj, por gjuajnë prej nalt, e lajmëron Policinë, kurrkush s’merret. Nëse s’ka ligje kurrkush nuk e mban pastërtinë. Duhet me të dënuar ty ose mu e për me mbajtë pastër diçka, ndryshe nuk ka shans”.

Edhe Elmi Rrahmani tha se komuna duhet me ndërmarrë masa, edhe pse thotë se fajin më të madh e kanë qytetarët, raporton EO.

“Fajin ma të madhe e kemi ne qytetarët, Komuna po mundohet në të veten po na qytetarët pse me gju. Shiko sa qytetarët çdo polic me iu afruar nuk mundet njeri po na duhet me kon të vetëdijshëm kur po vijnë ata prej jashti prej Gjermanisë prej Zvicrës atje nuk guxojnë me gjuajt  po këtu e gjuajnë edhe ata bërllokun”.

Xhelush Dauti tha se pastrimi duhet që të bëhet me kohë nga Komuna e Prishtinës ngase qytetarët po pagujanë për shërbimet.

“Komuna i ka fajet. Komuna duhet me i pastruar me rregulluar një  ditë po e një jave jo.  Qytetarët nuk mund t’i fajësojë, qytetari po ia paguan paret Komunës. Komuna është e detyruar me mbajtur pastërtinë edhe rregullin në qytet”.

Përderisa Ali Kuqi, tha se qytetarët nuk duhet që të jenë dembelë, por duhet t’i hedhin mbeturinat në vendin e caktuar.

“Qytetarët duhet me kanë pak ma të kulturuar. Komuna s’ka faj hiq, Komuna i kryen ato obligimet e veta. Qytetarët i kanë fajet vet se janë dembelë e i gjunjë te dera e i lajnë nëpër rrugë  mbeturinat. Qytetarët duhet me i dënuar me pare atëherë ai nuk i gjuna”.

Gjon Hajdari, tha se nuk duhet të bëhemi më të kulturuar, duke shtuar se më së shumti kanë faj qytetarët.

“Neve na mungon kultura përgjithësi ai është faji më i madhi pse nuk e futë ata në gjep e me shkuar me hedhur mbeturina po e gjuan prej kerrit, masë shumti kanë faj qytetarët. Komuna duhet përmes televizionit, përmes shtypit internetit me reaguar me i vetëdisuar njerëzit s’ka rrugëdalje tjetër me dënime kurgjo nuk bënë”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi