Kolonët izraelitë u futën në shtëpinë e një familjeje palestineze gjatë iftarit

Organizata izraelite për të drejtat e njeriut Peace Now ka raportuar se kolonë izraelitë janë futur në shtëpinë e një familjeje palestineze në Tel Rumeida, në Hebronin e Bregut Perëndimor, teksa familja ndodhej jashtë shtëpisë duke marrë pjesë në iftar – vaktin me të cilin muslimanët e ndërpresin agjërimin e Ramazanit.

Kur familja u kthye, u ndalua nga ushtarë izraelitë të afrohej pranë shtëpisë së vet, ndërsa policia refuzoi të pranojë kallëzimin e tyre. Kolonët pretendojnë se kanë blerë shtëpinë, gjë që familja palestineze e mohon kategorikisht.

“Është koha t’i japim fund absurdit që një grusht kolonësh mesianikë të përcaktojnë politikën e jashtme dhe të sigurisë së të gjithë vendit”, thuhet në deklaratën e Peace Now, duke i bërë thirrje qeverisë izraelite që të largojë menjëherë kolonët.

Në raste të ngjashme në të kaluarën, pronarët palestinezë janë detyruar të ndjekin procese të gjata gjyqësore për të kërkuar kthimin e pronave të tyre, ndërkohë që disa herë është zbuluar se kolonët janë mbështetur në dokumente të falsifikuara.

Pak më pak se një vit më parë, kolonët u futën edhe në një tjetër shtëpi në Hebron dhe krijuan aty një vendbanim të ri, menjëherë pas emërimit nga ministri Smotrich të një “zëvendësi civil”, i cili mori shumicën e kompetencave për çështjet e vendbanimeve, përfshirë edhe dhënien e lejeve për blerje pronash në territoret e pushtuara.

Shtëpia në fjalë ndodhet në majë të një kodre në Tel Rumeida dhe nuk ka asnjë lidhje territoriale me pjesët e tjera të vendbanimeve aty pranë. Është pranë një zone ku disa vite më parë janë kryer gërmime arkeologjike nga Departamenti i Arkeologjisë.

Siç dihet, për të mbrojtur kolonët që jetojnë në zemër të qytetit palestinez, ushtria izraelite (IDF) ka vendosur kufizime të shumta për lëvizjen e banorëve palestinezë. Në disa zona është ndaluar hyrja e makinave palestineze dhe në disa rrugë ndalohet edhe ecja e këmbësorëve palestinezë. Vitet e fundit, IDF ka ngritur postblloqe të përhershme në të gjitha rrugët që lidhin vendbanimet me pjesët e tjera të qytetit.

Vendbanimi i ri ndodhet përtej pikës së kontrollit, dhe ekziston frika se pas krijimit të tij, palestinezëve do t’u vendosen kufizime të reja të lëvizjes edhe në rrugët përreth.

Kategoritë
BotaLajme