Kolegu i Afrim Bunjakut: Punuam krah për krah deri në momentet e fundit të jetës së tij

Shoki i Afrim Bunjakut, njëherit polic i Kosovës, Fahri Shala ka kujtuar momentet e fundit që i kaluan bashkë gjatë përballjes me terroristët serb të cilët sulmuan Banjskën me 24 shtator.

Ai të freskët i ka pamjet e sekondave të fundit që i kaloi bashkë me Bunjaku, duke theksuar se humbja e tij është një dhimbje që nuk përshkruhet.

Shkrimi i plotë:

Sot, më 24 shtator 2025, përkujtojmë me pikëllim të thellë dhe krenari dyvjetorin e rënies heroike të rreshterit Afrim Bunjaku.

Punuam krah për krah, të pandarë për vite me radhë, deri në momentet e fundit të jetës së tij. Edhe sot, në kujtesën time të freskët, mbeten pamjet dhe sekondat e fundit që ndamë së bashku, çaste që u shndërruan në dëshmi të pavdekshme të besnikërisë, trimërisë dhe dashurisë së tij për atdheun.

Dhimbja e humbjes është e pamasë, por krenaria për sakrificën e tij e lehtëson shpirtin dhe na jep forcë të ecim përpara.

Me përulje e respekt të pafund, përkulemi para aktit të tij sublim, para vendosmërisë dhe guximit që e bënë të flijohej për mbrojtjen e sovranitetit të vendit tonë të  shtrenjtë.

Gjaku i tij, ashtu si gjaku i të gjithë dëshmorëve, është gurthemeli i shtetit tonë, trashëgimia më e shenjtë mbi të cilën ndërtojmë të ardhmen. Veprat e tij janë frymëzim i gjallë, udhërrëfyes për brezat që do të vijnë, për t’u kujtuar se liria ka emër, se liria ka çmim dhe ky çmim është gjaku i dëshmorëve.

Heroi ynë Afrim Bunjaku nuk është vetëm kujtim i dhimbjes. Ai është flamur i guximit, shtyllë e nderit, mishërim i dashurisë së pashuar për Kosovën. Ai jeton në çdo hap të lirisë sonë, në çdo frymëmarrje të këtij vendi që ai mbrojti me gjakun e tij.

Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së heroit, rreshter Afrim Bunjaku!

Lavdi e pavdekshme të gjithë dëshmorëve të kombit

Kategoritë
LajmeVendi