KFOR-i Turk rinovon dhe rikthen në funksion sallën e kompjuterëve në një shkollë të Prizrenit

Kryesia e kontingjentit turk në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) ka mundësuar renovimin dhe ka rikthyer në shërbim sallën e kompjuterëve të shkollës së mesme shkencore “Gjon Buzuku” në Komunën e Prizrenit, raporton Anadolu.

Në ceremoninë e rihapjes së sallës morën pjesë konsulli i përgjithshëm i Türkiyes në Prizren, Celal Doğan, kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, zv/kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Enis Kervan, komandanti i kontingjentit turk, kolonel Sabri Gökhan Karamürsel, si dhe përfaqësues të komunitetit turk, mësues dhe nxënës.

Në fjalën e tij në ceremoni, Doğan tha se ushtria turke vazhdon të mbështesë jo vetëm sigurinë e Kosovës, por edhe zhvillimin e vendit në të gjitha fushat.

Totaj, nga ana e tij, falënderoi ushtrinë dhe shtetin turk për kontributin e tyre të rëndësishëm në fuqizimin e gjeneratave të reja në fushën e arsimit.

Ndërkaq, Karamürsel theksoi se po investojnë në të ardhmen e të rinjve me investimet e tyre në fushën e informacionit dhe teknologjisë.

Pas fjalimeve, të ftuarit prenë shiritin e hapjes së projektit të rinovimit të sallës së kompjuterëve dhe vizituan sallën, derisa ceremonia u mbyll me një koncert të mbajtur nga studentët.

Në kuadër të projektit është rinovuar salla e kompjuterëve dhe janë blerë kompjuterë dhe pajisje të tjera të nevojshme për këtë sallë.

Kategoritë
LajmeVendi